RTSH Sport Live

Reali mund Barçën në shtesë, shkon në finale

  • 12/01/2022
  • |
  • Spanjë
Reali mund Barçën në shtesë, shkon në finale
Superkupa e Spanjës, skuadra e Ançelotit triumfoi 3-2 në El Clasico

Reali i Madridit është skuadra e pare finalist e edicionit të 38-të të Superkupës së Spanjës. Skuadra e Ançelotit triumfoi në El Clasico përballë Barcelonës në një sfidë që dhuroi emocione të mëdha dhe spektakël. Në fakt u deshën kohët shtesë për verdiktin perfundimtar, me Los Blancos që ia dolën me shumë vështirësi duke fituar 3-2 përballë skaudrës së Ksavi Hernandes.

Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, Vinicius Junior kaloi në avantazh Realin në minutën e 25-të pas një asisi të Benzema, braziliani i vetim me portierin u tregua i saktë. Reagimi i  katalanasve erdhi 4 minuta përpara fundit të fraksionit të parë, kur Debmele krosoi një top pa shumë pretendime tek shtylla e pare, dhe Luk De Jong i falet fatit dhe karambolit për të shtyrë topin përtej vijës fatale.

Në pjesën e dytë madrilenët gjetën përsëri avantazhin me Karim Benzema që nuk di të ndalet, francezi gjeti golin në të 72’, por avantazhi i të besuareve të Ançelotit përsëri u barazua nga Barcelona 7 minuta përpara fundit të kohës së rregullt. Ansu Fati, i futur nga stoli, shënoi me kokë për shifrat 2-2.

Takimi kaloi në shtesë aty ku diferenca erdhi nga një tjetër i sapofutur, uruguajani Valverde i dhuroi kualifikimin për në finale Realit te Madridit pas realizimit në minutën e 98-të, duke konkertizuar kundërsulmin perfekt.  Los Blancos tashmë presin të mësojnë kundërshtarin me të cilin do të diskutojne finalën, pasi mbetet për tu luajtur edhe gjysmëfinalja e dytë, ajo mes Atletiko Madrid dhe Atletik Bilbao.

Prej sezonit 2019-2020 Superkupa e Spanjës luhet me formatin e ri, ndryshe nga sezonet e mëparshme. Pjesëmarrëse në garë janë 4 ekipet më të suksesshme, skuadra kampione, konkretisht Atletiko Madrid, skuadra nënkampione, Real Marid, fituesja e Kupës së Mbrtetit, Barcelona si dhe finalistja e Kupes së Mbretit, Atletik Bilbao.

Ekipet përballen në gjysmëfinale, finalja e madhe do të luhet me 16 janar. Për të tretin vit radhazi ndeshjet e Superkupës së Spanjës luhen në Riad të Arabisë Saudite.