RTSH Sport Live

Reali, Siti e Liverpuli nuk gabojnë, Mesi debuton me barazim

  • 15/09/2021
  • |
  • Futboll Bota
Reali, Siti e Liverpuli nuk gabojnë, Mesi debuton me barazim
Madilenët fitojnë në fund në fushën e Interit, Skuadra e Klop përmbys Milanin, City shpërthen kundër Leipzig, ndërsa PSG barazon me Club Brugge

Veprimtaria më prestigjioze e futbollit evropian, Liga e Kampioneve, ka ngritur në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar siparin e fazës së grupeve. Dhe transmetuesi publik ka sjellë në kanalin RTSH 1, së bashku me emisionin, që kishte plot risi, edhe përballjen më të spikatur të së mërkurës, atë të grupit D, midis Interit dhe Realit të Madridit. Ndërkaq, në kanalin RTSH Sport, kanë ardhur në kohë reale të gjithë golat e 4 grupeve të mbrëmjeve, si dhe përmbledhjet e çdo ndeshjeje, në pushim të dy pjesëve, por edhe në mbyllje të tyre.

Sigurisht që një vëmendje e madhe ishte në “San Siro”, ku Inter priti një kundërshtar si Reak Madrid. Një ndeshje me ritëm, ku zikaltërit kishin mundësi të mira për të shënuar, sidomos në pjesën e parë. Por madrilenët, ekspertë të këtij kompeticioni, arritën të marrin tri pikët në momentet e fundit, me golin e Rodrygo. Në takimin tjetër të grupit D, të luajtur më herët, Sherifi i Tiraspolit ka shtangur Shahtjorin e Donjeckut, duke e mundur me shifrat 2-0, me nga një gol për secilën pjesë loje.

Ndërkaq, në grupin C, në takimin e luajtur më herët, Borusia e Dortmundit ka mundur 2-1 në Stamboll Beshiktashin, me dy gola të shënuar në pjesën e parë nga Bellingam dhe Ha’aland për gjermanët, ndërsa Montero shënon golin e nderit për turqit në fund. Në takimin tjetër të grupit, Sportingu i Lisbonës dhe Ajaksi kanë dhuruar një festival golash, që u mbyll me rezultatin 5-1 në favor të holandezëve.

 Në grupin B, përballja midis Atletikos së Madridit dhe Portos e ka mbyllur me rrjeta të paprekura pjesën e parë, ashtu sikundër ka ndodhur edhe në të dytën dhe të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë. Kurse ndeshja tjetër e grupit, Liverpul-Milan, ka parë vendasit të kalojnë në epërsi me një autogol të italianëve, të cilët sidoqoftë përmbysin gjithçka me dy gola të shënuar në fundin e pjesës së parë, duke e mbyllur atë me shifrat 2-1. Por anglezët barazojnë me fillimin e së dytës dhe gjejnë edhe një gol të 3-të që u dhuron fitoren 3-2 dhe 3 pikët.

Në grupin A, Klub Bryzhi ka shtangur Paris SG-në e Mesit, Nejmarit dhe Mbapesë, duke e mbyllur në barazim 1-1 pjesën e parë në Belgjikë dhe duke e ruajtur këtë rezultat edhe në të dytën dhe duke marrë një pikë të vyer. Kurse në takimin tjetër, Mançester Siti e ka mbyllur pjesën e parë në epërsi 3-1 ndaj Lajpcigut, ndërsa në të dytën janë shënuar edhe 5 gola të tjerë, 3 nga anglezët dhe dy nga gjermanët dhe vendasit fitojnë me shifrat 6-3.