RTSH Sport Live

Red Bull synon të fitojë 6 garat e mbetura

  • 19/09/2022
  • |
  • Formula 1
Red Bull synon të fitojë 6 garat e mbetura
Horner beson se makina e tyre i ka shanset për ta arritur këtë

Max Verstappen duket pothuajse i sigurt se do të fitojë botërorin e f1 për pilotë. Madje këtë mund ta arrijë që në Çmimin e Madh të Singaporit, nëse ai fiton dhe rivalët e tij për titull Charles Leclerc dhe Sergio Perez nuk marrin shumë pikë. Verstappen ka fituar 11 gara deri tani në këtë sezon, duke përfshirë pesë të fundit radhazi dhe i nevojiten vetëm tre fitore të tjera nga gjashtë garat e mbetura për të thyer rekordin me më shumë triumfe në një sezon që aktualisht mbahet nga Michael Schumacher në 2004 dhe Sebastian Vettel në 2013.

Me makinën RB18 të Verstappen që ka një avantazh të qartë ndaj makinave të tjera, përsa i përket degradimit të gomave, ekziston mundësia që holandezi ta përfundojë kampionatin pa u mundur nga askush.  Formula 1 këtë fundjavë do të zhvillohet në Singapor, ku mungoi për dy vite për shkak të pangemisë. Leëis Hamilton, i cili po kërkon fitoren e tij të parë në F1 për këtë sezon, ka pranuar tashmë se Mercedesit do t'i duhet fat për të kapërcyer avantazhin e ritmit që ka Red Bull tani. “Duhet të jemi realistë, se Red Bull është pothuajse i pamposhtur”, tha piloti i Mercedes pas Çmimit të Madh të Ialisë.

 “Do të duhet shumë punë për ta mposhtur atë makinë. Për sa i përket performancës, ata janë plotësisht përpara të gjithëve. Ne nuk i kapim dot ata”. Ndërsa drejtori i ekipit të Red Bull, Christian Horner është më i kujdesshëm në lidhje me shanset që ka ekipi i tij për t’i fituar të gjitha garat e mbetura të botërorit.

“Kjo është një pyetje që varet shumë nga cirkuitet ku do të zhvillohen garat. Sepse secili prej tyre ka karakteristika të veçanta, krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Ne jemi në një pozicion të mirë në kampionat. Do të synojmë çdo garë dhe do të bëjmë më të mirën që mundemi, atëherë edhe pikët do të vijnë vetë” – tha Horner.

Avantazhi i shpejtësisë në pjesën e drejtë të pistës, që ka Red Bull nuk do të sjellë aq shumë avantazh në Singapor, ku si Ferrari ashtu edhe Mercedes janë më të sigurt për shanset e tyre. Horner theksoi se në letër gara në Singapor do të ishte ndoshta sfida më e vështirë nga të gjitha garat e mbetura.