RTSH Sport Live

Reja ndryshon skemë. Luajmë me 4 mbrojtës

  • 24/09/2022
  • |
  • Kombëtarja
Reja ndryshon skemë. Luajmë me 4 mbrojtës
Trajneri i Shqipërisë provon për herë të parë një skemë që nuk e ka tentuar asnjëherë më parë

Shqipëria zbret pas pak orësh në fushë kundër Izraelit. Në orën 20.45 në “Bloomfield Stadium” të Tel Avivit, kuqezinjtë e drejtuar nga Edoardo Reja luajnë ndeshjen e tretë në grupin e tyre në “Ligën e Kombeve”, duke kërkuar me patjetër një fitore për të mbajtur gjallë shpresat për vendin e parë në grup. Ajo që mund të evidentohet vetëm pak orë para sfidës është ndryshimi i madh i Rejës, detyruar edhe nga mungesat. Sot, Shqipëria, ndoshta për herë të parë në drejtimin e italianit 76 vjeçar do të provojë një mbrojtje me katër. Reja në fakt e ka deklaruar që në fillim dhe më pas e ka vërtetuar që skema e tij e preferuar është 3-5-2, madje këtë nuk e ka ndryshuar kurrë edhe pse nga opinion sportiv në Shqipëri është kërkuar një plan “B” për Kombëtaren. Këtë radhë mungesat e Gjimshitit dhe Kumbullës e kanë bërë të mendohet teknikun Italian. Nga informacionet më të fundit që ka arritur të sigurojë RTSH Sport nga Tel Avivi, sot kombëtarja do të zbresë me këtë formacion: Strakosha në portë, Ismaili dhe Veseli në qendër, ndërkohë që Balliu luan nga e djathta dhe Hysaj që njëkohësisht mban edhe shiritin e kapitenit do të luaj nga e majta. Në mesfushë, Gjasula, Abrashi, Laçi dhe Asllani, ndërkohë që sulmi i është besuar Cikalleshit dhe Brojës. Uzuni nuk ia ka dalë të ishte mes titullarëve, por nuk përjashtohet që të aktivizohet gjatë ndeshjes.

Shqipëria mban vendin e fundit në Grupin 2 të Ligës së Kombeve me vetëm 1 pikë. Kuqezinjtë nese fitojnë sot me Izraelin dhe ndeshjen që e luajnë ditën e martë në Tiranë në stadiumin “Air Albania” kundër Islandës, dalin në vendin e parë të grupit dhe ngjiten në Ligën A, por kanë edhe shumë shanse reale për Evropianin e vitit 2024.