RTSH Sport Live

Reja: Nuk po mendoj për të ardhmen time

  • 26/09/2022
  • |
  • Kombëtarja
Reja: Nuk po mendoj për të ardhmen time
 Trajneri i Kombëtares dhe futbollisti kuqezi, Cikalleshi, flasin para Islandës

Në prag të ndeshjes së të martës, trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja, ka deklaruar se pret një reagim nga skuadra pas humbjes në Izrael.

 “Kemi rreshtuar disa herë cilat janë arsyet e situatës. Unë shpresoja që në këtë Ligë Kombesh të rriteshim, e kemi bërë se kemi bërë edhe miqësore që kanë shkuar mirë, kemi bërë paraqitje të mira. Prisja rritjen e cilësisë, por për fat të keq duhet të diskutojmë përsëri gabimet që nuk bëhen nga reparti, por individi. Që kur jam këtu kemi lëshuar shumë herë. Kundërshtarët e kanë shfrytëzuar shumë mirë gabimin tonë. Nëse duam të rritemi duhet të jemi bashkë e diskutojmë këto situata që shfaqen që të mbërrijmë te momenti që të mos përsëriten këto gabime. Po ndodh vazhdimisht por nuk arrijmë t’i përmirësojmë, është e kotë të flasim”.

Në vijim, italiani i stolit kuqezi ka folur edhe për zgjedhjet e formacionit.

 “Ndonjë ndryshim do të ketë se kur ka ndeshje çdo tre ditë, duhet të shoh gatishmërinë, ka ndonjë problem fizik, por të shohim ta zgjidhim të martën. Kam folur me mjekun dhe kemi diçka të vogël, por uroj të kem të gjithë në dispozicion. Pastaj ka ndonjë të lodhur, se ka disa lojtarë që kanë luajtur pak me klubet e tyre, me këto ndeshje me intensitet ndokush e ndjen më shumë. Ta shohim nesër dhe si ndjehen, nëse ndjehen mirë do të bëj zgjedhje, përndryshe do të aktivizoj ata që nuk luajtën ndaj Izraelit. Ndaj do të shoh e verifikoje edhe modulin në bazë të lojtarëve”.

76-vjeçari ka deklaruar se nuk po mendon për të ardhmen e tij në stolin e Shqipërisë.

 “Nuk është mendimi që kam tani, mendoj vetëm për Islandën, nuk mendoj për të ardhmen. Unë mendoj vetëm për këtë ndeshje, pas Islandës ka kohë të mendoj për të ardhmen. Ajo që ka rëndësi është kjo ndeshje. Pastaj vetëm Zoti mund të kuptojë atë që do të ndodhë”.