RTSH Sport Live

Reja pas Armenisë: E fundit? Nuk i dihet, e rëndësishme është që fituam

  • 19/11/2022
  • |
  • Kombëtarja
Reja pas Armenisë: E fundit? Nuk i dihet, e rëndësishme është që fituam
Trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja në konferencë për shtyp

Përfaqësuesja kuqezi e ka mbyllur me fitore vitin 2022 duke triumfuar 2-0 përballë Armenisë,  në miqësoren e luajtur në “Air Albania”. Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i kuqezinjve, Edoardo Reja ka komentuar fitoren, por dhe të ardhmen e tij duke qënë se kjo ishte ndeshja e fundit me kuqezinjtë, sipas kontratës. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë një rinovim të saj, të paktën kështu mendon italiani.

“Ndeshja e fundit? Ndoshta, nuk i dihet, e rëndësishme është që e mbyllëm vitin me një fitore. Bëmë mirë, jam i lumtur për këtë fitore. Edhe me Italinë, pavarësisht humbjes, treguam se me dëshirë dhe këmbëngulje, mund të tejkalosh edhe mangësitë që ke. Djemtë duhet të tregojnë përkushtim ndaj fanellës, jam apo nuk jam unë”.

Lojtarët e Superiores – “I kam ndjekur gjatë kampionatit. Do më pëlqente të bënim stërvitje javore me këta lojtarë, nuk e di nëse do lejojnë klubet. Jam apo nuk jam unë, kushdo që të vijë e kemi bërë gati terrenin. Ka lojtarë interesantë, nëse do jem unë, i kam idetë e qarta. Nëse vazhdoj, di ku të ndëryj, nëse vjen dikush tjetër, tavolina është gati. Nëse largohem, largohem i lumtur”.

“Skuka tregoi se mund të bëjë pjesë, Hadroj është lojtarë dinamik, ka rezistencë, nëse përmirësohet nga ana teknike, mund t’i bashkohet ekipit të parë. Edhe Bitri po bën mirë, Cara është lojtar i shpejtë dhe teknik. Ka dhe të tjerë që nuk i kam thirrur, por i kam ndjekur dhe mund të bëjnë pjesë. Kemi një panoramë të një grupi prej 40-50 lojtarësh, mund të jenë pjesë”.