RTSH Sport Live

Reja për të ardhmen: E vendosim me drejtuesit

  • 27/09/2022
  • |
  • Kombëtarja
Reja për të ardhmen: E vendosim me drejtuesit
Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja ka komentuar barazimin 1-1 me Islandën

Kombëtarja vazhdon të pësojë në fund e kjo gjë ndodhi dhe në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve, atë me Islandën në “Air Albania” e cila u mbyll në barazim 1-1. Sigurisht, që një përgjegjësi e madhe bie mbi trajnerin, i cili ka folur dhe për të ardhmen e tij në stolin kuqezi.

“E ardhmja? Nuk mund të them, pasi kam kontratë deri në nëntor dhe vetëm atëherë do të ulemi të flasim me presidentin. Sigurisht që të gjithë jemi të zhgënjyer pas kësaj ndeshja, si presidenti por edhe unë. Do të analizojmë dhe do të gjejmë një zgjidhje për të ardhmen”.

“Mendoj se kemi bërë një punë të mirë gjatë kësaj periudhe, kemi dhuruar dhe paraqitje të mira. Por në ndeshjet e fundit nuk kemi dhënë atë që kishim mundësi, këtu llogaris edhe veten time. Shumë mungesa dhe nuk kemi qenë aty ku duhet. Por le ti lëmë justifikimet, pasi kemi aktivizuar të rinj, funksional për lojën e skuadrës”.

“Barazimi i sotëm? Ishim në epërsi dhe duhet ta menaxhonim më mirë. Por ne nuk arritëm të mbyllnim ndeshjen dhe dihej që më pas ata ishin më të fortë fizikisht. U zëvendësua Gjasula se nuk ndihej mirë, më pas u dëmtua dhe Ismajli dhe nuk kishim më zëvendësime. Edhe mungesa kishim, 7 apo 8 lojtarë të rëndësishëm. Lojtarët dhanë më të mirën, por mund të kishim fituar nëse do kishim treguar kujdes”.