RTSH Sport Live

Rejnxhërs eliminon Lajpcigun dhe sfidon Frankfurtin në finale

  • 05/05/2022
  • |
  • UEFA Europa League
Rejnxhërs eliminon Lajpcigun dhe sfidon Frankfurtin në finale
Në Frankfurt, vendasit mundën West Ham 1-0, ndërsa në Glasgow ishte festë skoceze: 3-1

Skuadrat vendase triumfojnë në ndeshjet e dyta të Europa League. Në Frankfurt, Eintracht përsërit suksesin kundër West Ham. Në Glasgow, Rangers përmbys Leipzig. Finalja, në Sevilla më 18 maj.

Është festa e Eintracht në “Commerzbank Arena”. Pas 2-1 në Angli, gjermanët fitojnë sërish (1-0), eliminojnë West Ham dhe kthehen në një finale evropiane pas Kupës UEFA 1980.  Anglezët u goditën që në minutën e 18-të të sfidës, ndërsa Cresswell u ndëshkua me kartonin e kuq. Goli i avantazhit për gjermanët vjen në minutën e 26-të: Knauff për Borre, i cili nuk e ka të vështirë të shënojë, 1-0. Në pjesën e dytë, në dhjetë dhe të dëshpëruar nga rezultati, britanikët tentojnë por nuk arrijnë të bëjnë mrekullinë: kalon Eintracht.

Surpriza e mbrëmjes vjen nga Ibrox, i cili zien si në netët më të mira të historisë së Rangers, që fiton 3-1 dhe përmbys 1-0 të fituar në Gjermani nga Leipzig.

Skocezët fillojnë furishëm dhe gjejnë golin me lojtarin më të pritur,  Tavernier. Vetëm gjashtë minuta më vonë vjen dhe goli i dytë me firmën e Kamara. Megjithatë, gjermanët arrijnë të shënojnë në pjesën e dytë me Nkunku 70’ dhe gjithçka është e hapur.

Por kjo është nata e Rangers dhe dhjetë minuta më vonë, Lundstram përfiton nga një bllokim i mbrojtjes kundërshtare dhe shënon 3-1. Leipzig nuk e merr veten nga goditja dhe duhet të dorëzohet, Rangers i van Bronckhorst kalon në finale.