Kishte kohë që diskutohej, por vetëm në mbrëmjen e së martës është bërë zyrtare nga palët. Renato Malota, qendërmbrojtësi i shumë skuadrave në Kategorinë Superiore, tanimë do të jetë pjesë e Egnatias së Rrogozhinës. Futbollisti, të paktën edhe sipas njoftimeve të klubit në rrjetet sociale, ka nënshkruar për dy vite me skuadrën rrogozhinase. Malota, i datëlindjes 24 qershor 1989, ka luajtur me Besëlidhjen, Dinamon, Partizanin, Kukësin, Vllazninë e së fundi dhe Laçin. Madje me kurbinasit e ka bërë ndarjen e tij pas eleminimit në raundin e dytë paraeliminator në Konferencë Ligë me moldavët e Petrokub në atë humbje 1-4 në “Elbasan Arena”.
Malota e kishta paralajmëruar vetë largimin nga Laçi duke thënë do ta lajmërojë ai emrin e ri të skuadrës. Dhe vetëm 11 ditë përpara fillimit të sezonit të ri, Malota është bërë pjesë e Egnatias, që startin e kampionatit e nis në transfertë me Partizanin. Një përforcim më shumë për skuadrën e Edlir Tetovës, që tanimë nuk ka më objektivin për mbijetesë, por dhe më shumë.