Organizmi që qeveris futbollin botërore, FIFA, ka bërë të ditur të enjten edhe renditjen e përgjithshme të ekipeve përfaqësuese, që reflekton edhe ndeshjet e luajtura gjatë gjysmës së parë të muajit qershor. Kështu, Shqipëria ka mbetur në “vend-numëro”, pasi nuk ka lëvizur asnjë pozicion. Kombëtarja kuqezi renditet në vendin e 66-të në botë edhe për arsye se, në sfidat e qershorit, ajo nuk arriti asnjë fitore. Skuadra e drejtuar nga trajneri Edoardo Reja pësoi 1 humbje dhe mori dy barazime, përkatësisht në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, 1-2 në shtëpi ndaj Izraelit dhe 1-1 në fushë të huaj ndaj Islandës dhe një barazim pa gola 0-0 në miqësore ndaj Estonisë në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Ndonëse nuk kanë lëvizur në renditje, kuqezinjtë kanë humbur megjithatë 10 pikë. Ndërkaq, Kosova ka bërë një hap, ndonëse modest përpara, duke fituar një vend në përditësimin më të ri në renditjes së FIFA-s. Nga vendi i 107-të, Kosova është ngritur në atë të 106-in, që është edhe pozita më e lartë e arritur ndonjëherë nga “Dardanët”, që kanë tashmë me 1183.9 pikë. Skuadra e drejtuar tashmë nga trajneri francez, Alen Zhires, ka zhvilluar 4 ndeshje në muajin qershor, duke arritur dy fitore dhe duke pësuar dy humbje. Kjo e ndihmoi atë të ngjisë një shkallë në renditjen e FIFA-s.
Kosova mposhti Qipron dhe Irlandën e Veriut, por u mposht dy herë nga Greqia në kuadër të Ligës së Kombeve. Brazili vazhdon të jetë përfaqësuesja numër një, ndjekur nga Belgjika dhe Argjentina, Franca, Anglia, Spanja, Italia, Holanda, Portugalia e Danimarka. Ndërkohë, Gjermania mban vendin e 11-të në botë.