RTSH Sport Live

Rikthehet Superliga e Kosovës

  • 10/02/2023
  • |
  • Kosova
Rikthehet Superliga e Kosovës
Të shtunën luhen 3 takime, të dielën dy tjerat e javës së 19-të

Rikthehet Superliga e Kosovës në futboll. Pas një ndërprerjej shumë të gjatë, këtë fundjavë do të rikthehet më në fund edhe niveli më i lartë i futbollit në Kosovë. Kujtojmë këtu se ndeshjet e fundit të Superligës ishin ato që u zhvilluan në fundjavën e 29 dhe 30 tetorit 2022 dhe që ishin të vlefshme për javën e 18-të dhe më pas ajo u ndërpre për shkak të Botërorit. Në fakt, ndonëse ishte i vlefshëm për këtë javë, takimi i fundit i saj, ai Ballkani-Prishtina, që u mbyll në barazim 1-1, qe zhvilluar më 11 dhjetor të vitit të shkuar.

Por tanimë Superliga rikthehet me kalendar normal dhe, të shtunën, duke nisur nga ora 13:00, do të zhvillohen 3 ndeshje të vlefshme për javën e 19-të, kurse dy tjerat luhen të dielën. Kampionia në fuqi, Ballkani që ndan për momentin kreun me Dritën, do të udhëtojë për t’u përballur me Malishevën e vendit të 8-të, kurse Drenica e Skënderajt, që mban vendin e 7-të, do të jetë mysafire në fushën e Llapit, që renditet një shkallë më lart.

Ndërkohë, Gjilani i vendit të 4-t do ta presë Ferizajn e vendit të fundit. Të dielën, Trepça ’89 e vendit të parafundit pret Dritën kryesuese, kurse Prishtina i shkon Dukagjinit. Edhe këto dy përballje të së dielës nisin në ora 13:00. Drita dhe Ballkani ndajnë kreun e renditjes, me nga 38 pikë, të ndjekur nga Prishtina dhe Gjilani me nga 27 dhe Dukagjini me 22.

Duhet theksuar se Ballkani, i drejtuar nga trajneri Ilir Daja, ka patur një gjysmë të parë të sezonit të ngjeshur, për shkak të pjesëmarrjes në Kupat e Evropës, ku arriti deri në fazën e grupeve të veprimtarisë së 3-të të klubeve të kontinentit, Ligës së Konferencës.