RTSH Sport Live

Rinovimi i Fabio Kuartararo, ende në dyshim

  • 30/04/2022
  • |
  • Moto GP
Rinovimi i Fabio Kuartararo, ende në dyshim
Skuadra japoneze e “Jamaha”-s këmbëngul se gjithçka mbyllet në qershor

Shefi i skuadrës së “Jamaha”-s në Moto GP, Lin Xhervis, ka deklaruar se  beson që marka japoneze do të ketë nënshkruar “deri në fund të qershorit të këtij viti, një marrëveshje të re me Fabio Kuartararon për sezonin e ardhshëm. Kampioni në fuqi i botës ende nuk i është përkushtuar “Jamaha”-s përtej kontratës aktuale, që skadon në fund të 2022-shit dhe është përfolur për një largim nga skuadra japoneze. Gjatë fundjavës në Ostin, menaxheri i pilotit francez ka zbuluar se skuadrat rivale janë kontaktuar me të, ndërsa vetë Kuartararo ka thënë më herët gjatë këtij viti se ishte dukshëm i pakënaqur me mungesën e progresit të bërë nga “Jamaha” për t’i dhënë më tepër shpejtësi motorit.

Por duke folur gjatë përgatitjeve për Çmimin e Madh të Spanjës në Herez, Xhervis këmbënguli se skuadra japoneze është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e Kuartararos për një marrëveshje të re dhe shpreson që gjithçka të jetë mbyllur në fund të qershorit të këtij viti. “Po, sigurisht ne jemi në kontakt”, - ka thënë ai kur u pyet mbi ecurinë e bisedimeve për Kuartararon. “Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e tij dhe mund të them se jemi përfshirë në bisedime intensive, duke gjetur atë që ne besojmë se do të jetë një paketë dhe një propozim tërheqës për të ardhmen e tij, - ka vijuar kreu i skuadrës japoneze. - Sigurisht që ai është përparësia jonë nr. 1 dhe për këtë nuk ka vend për diskutim, pasi është e qartë për të gjithë.

Mua do të më pëlqente që edhe në mendjen e tij, “Jamaha” mbetet zgjedhja më e mirë. Kështu që, e rëndësishme për ne është që ai të ndjehet i sigurt dhe komod me programin që po përgatitim për të për 2023-shin dhe 2024-ën”, - përfundoi shefi i skuadrës së “Jamaha”-s në Moto GP, Lin Xhervis.