RTSH Sport Live

Roland Garros, nisin përgatitjet

  • 02/04/2021
  • |
  • Të tjera
Roland Garros, nisin përgatitjet
Drejtuesi i Tenisit në Francë, Gilles Moretton, i tha AFP se ai "nuk guxon as ta imagjinojë" anulimin e Roland Garros

Drejtuesi i Tenisit në Francë, Gilles Moretton, i tha AFP se ai "nuk guxon as ta imagjinojë" anulimin e Roland Garros, teksa Franca vazhdon të luftojë me numrin në rritje të të infektuarve me Covid-19. "Për momentin, ne jemi në rrugën e duhur, turneu mendohet të bëhet në datën e planifikuar në 23 maj - 6 qershor," - tha Moretton.

"Por nëse na thuhet se do të hyjmë në një karantinë të përgjithshme për dy muaj, do të duhet domosdoshmërisht të marrim masa - më e keqja është anulimi i plotë i turneut, por unë as nuk guxoj ta imagjinoj këtë". Rastet e përditshme të të infektuarve me Covid-19 në Francë janë dyfishuar me rreth 40,000 dhe spitalet e Parisit janë të tejmbushura.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se shkollat do të mbyllen javën e ardhshme dhe një bllokim të kufizuar në Paris dhe rajone të tjera në të gjithë vendin për të luftuar rastet e Covid-19. Vitin e kaluar Roland Garros u vonua me katër muaj dhe u zhvillua në shtator-tetor. Spektatorët ishin të kufizuar në vetëm 1000 çdo ditë.

"Ne jemi duke studiuar shumë mundësi për zhvillimin e Roland Garros 2021," - shtoi Moretton. "Ekziston mundësia me spektatorë ose me numër të kufizuar, sepse nuk guxoj të deklaroj që tani një nivel 100% të spektatorëve. Megjithatë ne jemi gati për ta zhvilluar turneun me të gjitha mundësitë”.

Moretton tha se organizatorët do të marrin parasysh mësimet e nxjerra nga aktivitetet e tenisit të zhvilluara deri tani, në situatën e Covid-19. "Para Roland Garros, zhvillohet Monte Carlo, që luhet në të njëjtën fushë me dhe të kuq. Të shikojnë si do të shkojë situata me Covid-19 dhe më pas do të vendosim” – tha Moretton.