RTSH Sport Live

Roma show, Tottenham rikthehet, Napolin e nderon një autogol

  • 05/11/2020
  • |
  • UEFA Europa League
Roma show, Tottenham rikthehet, Napolin e nderon një autogol

Roma nuk kursehet përballë Cluj duke shënuar pesë gola. Tottenham ka arritur të gjejë fitoren përballë Ludogorets, ndërsa Napolin e nderon një autogol në fushën e Rijekës.

Grupi A - Fitorja e dytë për Romën në Europa League, që në Olimpico ka shkatërruar 5-0 Cluj dhe ngjitet në vendin e parë në grup në kuotën e 7 pikëve. Ndeshje pa shumë histori: vendasit arrijnë të shënojnë tre gola në 30 minuta lojë me Mkhitaryan 2’, Ibanez 24’ dhe Mayoral 34’. Në fundin e takimit, për të plotësuar suksesin, në skenë është ngjitur edhe njëherë Mayoral 84’ dhe e mbyll Pedro 89’.

Grupi B – Një ndeshje e çmendur mes Rapid Viena dhe Dundalk, ku vendasit kanë arritur të fitojnë me rezultatin 4-3. Miqtë kanë kaluar të parët në avantazh me anë të Hoban 7’, por përgjigja e vendasve nuk ka vonuar dhe Ljubicic 22’ ka vendosur barazpeshën, 1-1, që është dhe rezultati i pjesës së parë. Në pjesën e dytë, goli i vendasve me autor Arase 79’ ka marrë përgjigjen e McMillan 81’. Hofmann 87’ dhe Demir 90’ kanë vulosur fitoren e vendasve, ndërsa goli i McMillan me 11-metërsh në minutën e 90+6 ka shërbyer vetëm sa për statistikë.

Grupi C – Hapoel Beer Sheva është mundur në shtëpi nga Leverkusen me rezultatin 4-2. Bailey 5’ ka kaluar gjermanët në avantazh, por Acolatse 11’ dhe 25’ ka përmbysur gjithçka në favor të vendasve. Një autogol i Dadya në minutën e 39-të ka vendosur barazpeshën, 2-2. Në pjesën e dytë, Leverkusen ka arritur të rrëmbejë fitoren me Bailey 75’ dhe Ëitz 88’.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Slavia ka fituar 3-2 përballë Nice. Kuchta 16’ dhe Sima 43’ kanë dhënë siguri për vendasit, ndërsa francezët kanë arritur barazimin e përkohshëm me Gouiri 33’. Në pjesën e dytë, edhe njëherë Kuchta 71’ ka shënuar, duke  futur në kasafortë fitoren. Goli i Ndoye në fundin e takimit nuk ka mjaftuar për francezët.

Grupi D – Benfica dhe Rangers kanë dhuruar një ndeshje emocionuese, që është mbyllur në një barazim 3-3. Autogoli i Goldson, që në minutën e parë, më i shpejti në historinë e Europa League i ka dhënë avantazhin Benfikës, por në minutën e 19-të ka mbetur me një lojtar më pak, karton i kuq për Otamendi. Autogol i Goncalves dhe goli i Kamara kanë përmbysur gjithçka në favor të Rangers në pjesën e parë. Morelos në minutën e 51-të ka dhënë imazhin e një fitorja të lehtë për Rangers, por Benfika ka surprizuar me dy golat e shënuar me Silva dhe Nunez, duke dhuruar një rezultat 3-3. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Lech Poznan ka fituar me rezultatin 3-1 përballë Standart. Vendasit kanë shënuar me Skoras 14’ dhe Ishak(dopietë) 22’ dhe 48’. Goli i vetëm për Standart është shënuar nga Lestienne 29’.

Grupi E – Granada ka marrë një fitore 2-0 në fushën e Omonia. Herrera ka zhbllokuar rezultatin që në minutën e 4-ët, ndërsa në pjesën e dytë është Suarez Charris që ka dyfishuar, duke marrë tri pikët e radhës. Në ndeshjen tjetër, PAOK ka marrë një fitore të thellë, 4-1 përballë PSV-së. Holandezët e mbyllën pjesën e parë në avantazh, Zahavi shënoi nga pika e 11-metërshit. Në pjesën e dytë formacioni grek arriti të gjejë rrugën e rrjetës katër herë me Schëab, Zivkovic(dopietë) dhe Tzolis.

Grupi F – Napoli ka vuajtur në fushën e Rijekës, por në fund ka arritur të marrë një fitore 2-1. Fati i ndeshjes është vendosur nga një autogol i Braut në minutën e 64-ët, ndërsa pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, me vendasit që shënuan të parët me Muric dhe Demme shënoi më pas për italianët. Ndeshja tjetër e këtij grupi, ajo mes Sociedad dhe Alkmaar është mbyllur me fitoren e vendasve me rezultatin 1-0. Goli për spanjollët u shënua nga Portu në minutën e 58-të.

Grupi J – Tottenham ka arritur të marrë një fitore 3-1 në fushën e Ludogorets. Kane dhe Lucas kanë zgjidhur gjithçka në pjesën e parë me golat e shënuar. Vendasit arritën të gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 50-të me Keseru, duke rindezur shpresat, por nuk ka vonuar goditja përfundimtare e anglezëve, Lo Celso në minutën e 62-të ka firmosur për 3-1.