RTSH Sport Live

Ronaldo, jeta e trishtë në Arabi: shpenzon mijëra euro por ka një problem të madh

  • 01/02/2023
  • |
  • Gosip
Ronaldo, jeta e trishtë në Arabi: shpenzon mijëra euro por ka një problem të madh
Aventura saudite e kampionit portugez nuk nisi në mënyrën më të mirë: as në fushë me Al-Nassr dhe as jashtë...

Aventura saudite e Cristiano Ronaldos nuk nisi në mënyrën më të mirë. I zbarkuar në Arabi në janar, pas një prezantimi me pak bujë, një miqësore me të gjithë yjet kundër PSG-së së Leo Messit dhe një humbje në gjysmëfinalen e Superkupës kundër Al Ittihad, kampioni portugez është ende në vështirësi, si me Al-Nassr ashtu dhe jashtë fushës. Në veçanti, transmetuesi amerikan ABC ka zbuluar se jeta e CR7 në Riad është larg lavdisë evropiane, si dhe mjaft "e trishtueshme". Pavarësisht qindra mijëra eurove të shpenzuara për një rezidencë përrallash, Ronaldo ka një problem të papritur dhe të ndërlikuar për të menaxhuar.

Suita përrallore e marrë me qira nga Cristiano Ronaldo për familjen dhe shoqëruesit e tij në Riad është deri më tani elementi i vetëm Arabian Nights në jetën saudite të portugezit. Ish-lojtari i Real Madrid dhe Juventus ka marrë me qira 17 apartamente superluksoze në katet e fundit të Kingdom Center, një rrokaqiell 267 metra i lartë. Të gjitha për shumën modeste prej 285,000 euro në muaj. Nëse dizajni faraonik dhe komoditetet ekskluzive sigurisht që nuk mungojnë – duke pasur parasysh edhe nënshkrimin prej 500 milionë eurosh që klubi i Garcias i ka garantuar – ka probleme të tjera me të cilat përballet pesë herë fituesi i Topit të Artë.

“Jeta në Arabi nuk ka absolutisht asnjë lidhje me mënyrën evropiane të jetesës - shkruan ABC - Për shkak të kushteve ekstreme klimatike që ndodhin midis pranverës dhe vjeshtës, përveç praktikave fetare, rutina profesionale zhvillohet pasdite dhe natën, veçanërisht në tregti dhe aktivitete që kërkojnë të kryhen në një ambjent ​​të hapur, siç është futbolli. Për Cristianon, i cili e ka kaluar gjithë karrierën e tij në Europë, kjo do të jetë një nga pengesat që do të duhet të kapërcejë në epilogun ekzotik dhe të artë të karrierës së tij”, përfundon transmetuesi amerikan.