RTSH Sport Live

Rozher Federer ul siparin e një karriere të lavdishme

  • 15/09/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Rozher Federer ul siparin e një karriere të lavdishme
Zvicerani 41-vjeçar bën të ditur vendimin për t’u tërhequr për shkak të dëmtimeve

Rozher Federer ka bërë të ditur të enjten se do të tërhiqet nga karriera aktive si tenist pas Kupës “Laver”, që do të mbahet javën e ardhshme në Londër. “Unë jam 41 vjeç, - ka deklaruar ai nëpërmjet një njoftimi të publikuar në profilet e tij në rrjetet sociale. “Kam luajtur më shumë se 1500 ndeshje gjatë 24 viteve. Tenisi më ka trajtuar më bujarisht sesa do të kisha ëndërruar ndonjëherë, dhe tani duhet të kuptoj se kur është koha për t'i dhënë fund karrierës sime konkurruese”, - vijoi më tej fituesi i 20 turneve madhorë, të njohura ndryshe si “Grend Slem”-e.

Vitet e fundit të karrierës së Federerit janë goditur nga një sërë dëmtimesh, pasi ai iu nënshtrua dy operacioneve në gju, fillimisht në vitin 2020, dhe pastaj pasi u mund nga Hubert Hurkaç në çerekfinalen e “Uimbëlldonit” në 2021-shin, që në fakt ishte edhe ndeshja e tij e fundit zyrtare deri më sot. “Siç e dini shumë prej jush, 3 vitet e fundit më kanë paraqitur sfida në formën e lëndimeve dhe operacioneve”, - ka vijuar zvicerani, duke theksuar: “Kam punuar shumë për t'u kthyer në formë të plotë dhe të jem konkurrues. Por unë i di gjithashtu kapacitetet dhe kufijtë e trupit tim dhe mesazhi i tij për mua kohët e fundit ka qenë i qartë.”

Karriera e gjatë e Federer përkoi me atë të fituesit të 22 “Grend Slem”-eve, Rafael Nadalit, dhe fituesit 21 turneve të tillë, Novak Gjokoviç, me të cilët ai dominoi tenisin e meshkujve për dy dhjetëvjeçarët e fundit. “Do të doja të falënderoja edhe konkurrentët e mi në fushë”, tha Federer. “Kam pasur fatin të luaja kaq shumë ndeshje epike që nuk do t'i harroj kurrë. Ne luftuam me drejtësi, me pasion dhe intensitet, dhe gjithmonë jam përpjekur të respektoj historinë e lojës. Ndihem jashtëzakonisht mirënjohës”, - ka përfunduar 41-vjeçari.