RTSH Sport Live

Rrezikon Oriku, Lazaj plot me akuza

  • 04/05/2023
  • |
  • Kategoria e Parë
Rrezikon Oriku, Lazaj plot me akuza
Ndeshje jetike per mbijetesë me Lushnjën, kërkohet fitorja me ç’do kusht

Kategoria e Parë drejt fundit, ndërsa të dielën do të luajë javën e 25-të të kampionatit. Por nga drejtues të skuadrave nuk mungojnë akuzat për prishje të garës dhe një e tillë vjen nga administratori i Orikut, Muharrem Jazaj. 

Oriku luan këtë javë një ndeshje jetike për mbijetesë ndaj Lushnjës, por sipas Jazës gara e javëve të fundit është duke u luajtur jashtë fushës së blertë. Dhe kjo dëmton skuadrat, ndërsa Jazaj konfirmon se Oriku do të luajë për fitore ndaj Lushnjës.

“U bënë javë nga nisja e marrëveshjeve mes skuadrave. Këto na kanë dëmtuar shumë, por mendoj se djemtë janë të karikuar dhe do të bëjnë mirë me Lushnjën edhe pse duhet thënë se jo ç’do gjë varet prej nesh”, tha Muharrem Jazaj.

Oriku rrezikon të zbresë në Kategorinë e Dytë, ndërsa më parë kanë rënë Tërbuni e Besëlidhja. Nga Kategoria e Parë në të Dytën zbresin katër ekipe dhe anasjelltas ngjiten dy. Dhe skuadrat e renditura në vendin e nëntë do të dhjetë të së Parës bënë play-out me fituesen e play-off të grupeve A dhe B të Kategorisë së Dytë, që fillimisht luajnë me skemën 2-5 dhe 3-4 brenda grupit. Ndaj dhe gara tanimë është bërë më e nxehtë.