RTSH Sport Live

RTSH nuk ndalet… Teuta e Partizani ekskluzivisht në RTSH Sport

  • 06/07/2021
  • |
  • Evente Sportive
RTSH nuk ndalet… Teuta e Partizani ekskluzivisht në RTSH Sport
Përveç Kampionatit Evropian dhe turneut të Wimbledonit, kanali sportiv i transmetuesit publik siguron të drejtën televizive edhe për aventurën e dy klubeve shqiptare në Evropë

RTSH Sport siguron të drejtën televizive për dy prej klubeve shqiptare që luajnë në kupat e Evropës. Teuta dhe Partizani do të jenë në ekranin sportive të platformës digjitale të transmetuesit publik ditën e mërkurë dhe ditën e enjte me ndeshjet që do të luajnë në vendin tonë. Kampionia e Shqipërisë, Teuta pret Sheriff-in në “Niko Dovana” ditën e mërkurë në orën 19.00. Pas përforcimeve të shumta, me ardhjen e Kallakut dhe Taulant Seferit si huazime, “djemtë e detit” premtojnë një sfidë të bukur në turin e parë për Champions League edhe pse vlen të kujtojmë që këtë sezon, ndeshjet do të zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje, por që nuk ka vlerë goli në fushën kundërshtare.

Një tjetër sfidë interesante është ajo që luan Partizani në “Elbasan Arena” ditën e enjte në orën 20.00 ndaj moldavëve të Sfintul Gheorghe për “Conference League”. Edhe kjo ndeshje vjen ekskluzivisht në RTSH Sport HD. Të besuarit e Ilir Dajës do kërkojnë një rezultat pozitiv që në start, për të mos komplikuar kualifikimin për në turin e ardhshëm.

RTSH Sport po bën maksimumin për të siguruar të drejtën televizive edhe për ndeshjet e kthimit të Vllaznisë dhe Laçit në “Conferencë League”, në mënyrë që të paktën ndeshjet që klubet shqiptare do të luajnë në shtëpinë e tyre mos të mungojnë në ekranin e gjithë shqiptarëve. Përveç sfidave gjysmëfinale të Evropianit të futbollit, por edhe turneut të famshëm të tenisit mbi bar, “Wimbledon”, RTSH Sport po bëhet gati edhe për eventin më të rëndësishëm sportiv të vitit, Lojrat Olimpike “Tokio 2020” që do të startojë në 23 korrik dhe do të jetë përditë në ekran me garat më të bukura dhe ndeshjet më interesante.