E diela në RTSH Sport ofron disa transmetime që nuk duhen humbur. Kategoria e parë e futbollit ka rezervuar për ditën e dielë një ndeshje mes dy emrash që kanë bërë histori në futbollin shqiptar ndër vite. Në orën 14.00, drëjtpërsëdrejti nga stadiumi “Flamurtari” në RTSH Sport transmetohet ndeshja Flamurtari - Besa. Vlonjatët nuk është se po kalojnë një moment të mirë. Janë eleminuar nga Kupa e Shqipërisë dhe të vetmen ndeshje që kanë luajtur në Kampionat, kundër Turbinës nuk kanë arritur të marrin më shumë se 1 pikë, ndërkohë që Besa e ka nisur kampionatin me një fitore dhe një humbje. Prandaj sfida e sotme pritet me interes jo vetëm në Vlorë dhe Kavajë, por edhe për të parë gjendjen e dy skuadrave që kanë bërë histori dikur edhe në Kategorinë Superiore.
Moto GP ka stacionin e fundit sot në Portugali. Garat nisin me cilindratat më të ulta në orën 12.00 me Moto 3 në RTSH Sport, ndërkohë që gara për cilindratën Moto 2 do të transmetohet në RTSH 1 HD në orën 13.15. Edhe Moto GP vjen në RTSH 1 HD në 14.45. kjo është gara e fundit e vitit dhe pritet spektakël. Çmimet sezonale të MOTO GP vijnë drejtpërdrejt në orën 19.30. Pilotët më të mirë të gjithë cilindratave dhe ekipet fituese marrin trofetë nga Federata Botërore e Motoçiklizmit në një ceremoni të veçantë.
Në 22.30, në RTSH 1 HD dhe RTSH Sport transmetohet Rubrika Sportive. Ngjarjet më të rëndësishme të javës së futbollit, analiza për ndeshjet e Kategorisë Superiore apo edhe për mbylljen e aventurës së Kombëtares vijnë në emisionin sportive më jetë-gjatë në transmetim. Përveç Shkëlqim Muçës, Fatmir Mënerit dhe Fation Shehut, sot pritet me interes edhe nga i ftuari special, Elvis Plori të tregojë më shumë për Vllazninë, që kryeson me pikë të plota pasi ka mundur edhe Tiranën kampione të shtunën në “Loro Boriçi”. Rastet e diskutueshme dhe gjithçka që ka ndodhur në fushat e tjera, sot në 22.30 në RTSH 1 HD.