RTSH Sport Live

RTSH Sport nuk ndalet… Sot vjen volejbolli, Basketbolli dhe Kupa e Mbretit

  • 04/03/2021
  • |
  • Evente Sportive
RTSH Sport nuk ndalet… Sot vjen volejbolli, Basketbolli dhe Kupa e Mbretit
Në orën 21.00 në RTSH Sport transmetohet gjysmëfinalja tjetër e Kupës së Spanjës, Levante -Bilbao

Edhe dita e sotme ka një “ritëm” transmetimesh në RTSH Sport. Kanali sportiv i platformës digjitale të transmetuesit publik është jo vetëm partner mediatik për çdo sport kombëtar, por sjell përpara publikut edhe veprimtari elitare sportive.  

Transmetimet nisin me Shqipërinë e futbollit në sallë. Në orën 13.00 drejtpërsëdrejti nga pallati i sportit “Feti Borova” vjen përballja Danimarkë- Shqipëri. Në fakt, kjo ishte një ndeshje e planifikuar për tu luajtur në Danimarkë, por rregullat strikte të shtetit danez për shkak të Pandemisë kanë detyruar UEFA-n të bëj një lëvizje që aktiviteti të vazhdojë. Kështu, pas humbjes 1-3 të ekipit shqiptar ditën e mërkurë, sot kuqezinjtë kanë një tjetër shans për të marë fitoren e parë në këtë grup kualifikues.

Volejbolli shqiptar është rikthyer në parket dhe sot rikthehet edhe në ekranin e RTSH Sport. Barleti Voley përballet me Vllazninë në volejbollin e femrave dhe gjithçka vjen në ekran duke filluar nga ora 17.00. Të dyja ekipet janë në krye të renditjes së grupit A me 6 pikë, prandaj ndeshja e sotme pritet me interest ë veçantë.

Në RTSH Sport rikthehet edhe emisioni i basketbollit. “24 Sekonda” rinis sot transmetimet në orën 20.00 pas një periudhe relativisht të gjatë, sepse mungoi ky aktivitet në vendin tonë. Në drejtimin e gazetarit Henri Moja, analistët dhe protagonistët e basketbollit shqiptar do të diskutojnë për dy javët e para të aktivitetit si dhe problematikat e fillimit. Goga Basket e Teuta e kanë nisur kampionatin me fitore, ndërkohë që Vllaznia “amerikane” duket që do ende kohë për kolaudim. Gjithçka diskutohet dhe analizohet sot në mbrëmje në orën 20.00 në RTSH Sport.

Mbrëmja ka një tjetër aktivitet elitar. Kupa e Spanjës luan gjysmëfinalen e dytë, ku Levante pret Bilbaon. Barcelona është kualifikuar në finale e 18 prillit dhe sot pret të mësoj ekipin që do të përballet. Ndeshja e parë mes dy ekipeve luajtur në “San Mames” është mbyllur në barazimin 1-1, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e sotme.