RTSH Sport Live

Saga “Xhokoviç” vazhdon, gjithçka është pezull

  • 11/01/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Saga “Xhokoviç” vazhdon, gjithçka është pezull
Tenisti serb stërvitet në kompleksin e Melbërnit, fati i tij, në duart e Ministrit australian

Është kthyer në një “sagë” të vërtetë çështja e tenistit serb, Novak Gjokoviç, i cili shpreson ende të jetë në gjendje të mbrojë titullin e fituesit të turneut madhor, “Australian Open”. Pasi ka triumfuar në gjykatë, e cila i dha të hënën të drejtë sportistit sa i përket ndalimit të hyrjes në Australi dhe e quajti të paligjshëm anulimin e vizës, 34-vjeçari ka vijuar të stërvitet në fushën kryesore të Kompleksit ku do të zhvillohet ky turne në Melbërn.

Por gjithçka mbetet sidoqoftë pezull sa i përket fatit të tij, ndërsa është e sigurt se serbi do të qëndrojë në rastin më të keq, deri të mërkurën në Australi, pasi Ministri i Emigracionit, Aleks Houk, nuk ka të ngjarë të marrë një vendim mbi çështjen e vizës së tenistit nr. 1 të renditjes botërore të meshkujve. Edhe pse Gjokoviçi e fitoi çështjen e tij në gjykatë, Houk gëzon fuqi të veçanta ligjore për t’ia anuluar vizën dhe për ta kthyer serbin në shtëpi.

Sipas shtypit australian, Ministri është ende duke e shqyrtuar çështjen dhe pritet që një vendim përfundimtar të merret brenda ditëve në vijim. Ndërkohë, ekziston një paqartësi në lidhje me formularët që Gjokoviçi ka dorëzuar në mbërritjen e tij në Australi, ku thuhet se ai nuk ka qenë në asnjë vend tjetër para se të niset nga Serbia, por është mësuar se ai ka qenë në Spanjë.

Sidoqoftë, 34-vjeçari ka deklaruar se këto formularë nuk janë plotësuar prej tij, por prej Federatës Australiane të Tenisit (Tennis Australia). Ndërkaq, Shoqata e Tenistëve Profesionistë ka lëshuar një deklaratë për shtyp, ku e cilëson si “të dëmshme për të gjitha palët” atë që ka ndodhur me Novak Gjokoviçin, ndërsa ka theksuar se nevojitet një qartësi më e madhe sa i përket rregullores së protokollit të mbrojtjes nga “Covid-19” dhe atyre të emigracionit.

Për fatin e keq të Australisë, çështja e tenistit serb ka kthyer vëmendjen edhe tek çështje e trajtimit të emigrantëve atje.