RTSH Sport Live

Sedloski: Duhet të luajmë mençur

  • 25/04/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Sedloski: Duhet të luajmë mençur
Trajneri i Vllaznisë flet para sfidës së të enjtes në Kupë me Egnatian

Vllaznia përballet me Egnatian të mërkurën dhe për trajnerin Goçe Sedloski, humbja me Tiranën në kampionat nuk ishte përgatitja më e mirë, por që duhet lënë prapa.

 “Janë dy ndeshje që luhen dhe kjo është vetëm e para. Jemi pak në situatë negative për humbjen ndaj Tiranës. Kjo është gjysmëfinale e Kupës dhe duhet të kemi durim. Duhet të rrisim ritmin dhe të luajmë siç dua unë. Kemi bërë analizën e Tiranës se ku kemi gabuar. Lojtarët që dalin në fushë duhet të japin gjithçka për ndeshje dhe rezultat të mirë e ta kemi të lehtë në fushë të huaj. Pas 3 ditësh kemi kampionatin prandaj këto dy ndeshje duhet t’i luajmë në mënyrën më të mire”.

Trajneri maqedonas e ka paralajmëruar skuadrën për kundërshtarin që e pret në Kupë.

 “E kam ndjekur dhe parë Egnatian. Luajnë shumë mirë dhe kam parë që bëjnë futboll të bukur. Presin për rastin e kundërsulmit dhe kam thënë që duhet të pozicionohemi si duhet. Duhet të luajmë mençur dhe rezultati vjen”.

Me kampionatin tashmë larg mundësive reale për t’u arritur, për Vllazninë bileta e Evropës kalon nga Kupa dhe kreu i stolit kuqeblu e ka të qartë këtë.

 “Qëllimi është të kapim Evropën siç kam folur me klubin. E kam thënë që çdo ndeshje është e rëndësishme. Ashtu si duam ne Evropën, e do edhe Egnatia dhe ashtu jemi edhe në kampionat e jemi shumë afër. Do të jetë shumë interesante deri në fund. Duhet të mendojmë më vonë për ndeshje e ardhshme”.

Takimi i parë i vlefshëm për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Egnatia, luhet të enjten, duke nisur nga ora 18:00, në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.