RTSH Sport Live

Seferi, drejt Polonisë?

  • 03/08/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Seferi, drejt Polonisë?
Klubi i Widzew Lodz i ofron rreth 120 mijë euro në sezon

Taulant Seferi është vetëm me letra pjesë e skuadrës së Tiranës, sepse golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar kërkon me çdo kusht largimin nga Kategoria Superiore. Pas një viti e gjysmë në kryeqytet ku rilindi dhe rifitoi Kombëtaren Shqiptare, sulmuesi bardheblu edhe pse ende nën kontratë me klubin kampion, kërkon të nisë një aventurë të re jashët Shqipërisë dhe ndeshjet e Europës ku nuk e gjeti asnjëherë rrugën e rrjetës në 4 takime, ishin të fundit për të me fanellën e Tiranës.

Klubi po punon për t’i gjetur një sistemim ndërsa vetë lojtari nuk është paraqitur në stërvitje, një vendim ky ndoshta i kordinuar edhe me trajnerin e stafin drejtues. Ofertat edhe pse jo zyrtare kanë mbërritur nga Turqia e Polonia, por Tirana kërkon të arkëtojë sa më shumë nga shitja e kartonit të lojtarit që sezonin e kaluar bëri diferencën në fushë duke i dhënë një kontribut të madh skuadrës në fitimin e titullit të 26.

Në Poloni, Widzew Lodz duket se ka bërë punën më të madhe me sulmuesin pasi i ka ofruar një kontratë të majme nga e cila do të përfitonte rreth 120 mijë euro në sezon por klubi polak nuk mund të kënaqë kërkesat e Tiranës, që nuk ulet poshtë kufirit 800 mijë, shumë të cilën momentalisht ky klub nuk është i gatshëm ta paguajë.

Në krahun tjetër qëndron Manisaspor, një tjetër destinacion deri diku i pranueshëm por jo tërësisht pasi militon në Ligën e dytë dhe ofron një pagë disi më të ulët për lojtarin edhe pse pjesërisht kënaq kërkesat e Tiranës.

Momentalisht, klubi bardheblu nuk bën asnjë koment ndërsa lojtari që e mbylli sezonin me 19 gola në kampionat ndërsa në 1 sezon e gjysmë me bardheblutë ai është aktivizuar në plot 58 takime vetëm në Superiore.