Përfaqësuesja e Kosovës në futboll vijon përgatitjet për ndeshjet e këtij muaji, teksa të shtunën luan në fushë të huaj ndaj Suedisë, kurse më 12 tetor pret Gjeorgjinë në “Fadil Vokrri”, në takimet e vlefshme për Eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Në stërvitje ishte Astrit Selmani, i cili vetëm tani ka të drejtë të paraqitet për Kosovën. Sulmuesi i Hamarbit në Suedi ishte i grumbulluar edhe për ndeshjet e shtatorit, por nuk pati të drejtë të luante për shkak se nuk kishte shtetësi dhe pasaportë të Kosovës. Si ai, ashtu edhe futbollisti tjetër, Zymer Bytyçi, kanë vlerësuar atmosferën në skuadër.
Bytyçi ndër të tjera ka theksuar: “Atmosfera është e mirë. Kemi ardhur me energji të re, djemtë kanë ardhur nga klubet e tyre kanë bërë punë të mirë dhe luajtën mirë ndaj Spanjës. Atë energji pozitive e kemi marrë me vete për ndeshjet kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë”.
“Të gjithë më kanë pritur mirë dhe më lehtë të vij në Kosovë se diku tjetër. Jam krenar që luaj për Kosovën dhe pres që edhe tjerë ‘Dardanë’ të vijnë dhe të luajnë për Kosovën. Në Suedi ka shumë shqiptar dhe besoj se do të vijnë shumë, shpresoj të vijnë sa më shumë”, ka thënë Astrit Selmani, sulmuesi i Hammarbyt, pas stërvitjes me Kosovën
Si Bytyçi, ashtu edhe Selmani, presin një përballje të fortë të shtunën me Suedinë.
“Suedia bazohet në lojë fizike dhe kanë shumë lojtarë që duhet pasur kujdes. Nëse arrijmë t’i ndalim sulmuesit dhe mesfushorët kemi gjasa të mira. Në Skandinavi ka shumë shqiptar dhe do të jetë mirë për ne”, ka thënë Bytyqi.
Në të njëjtën linjë edhe Selmani: “Presim një ekip fizik, që janë të fortë në rivëniet e këndit dhe goditjet e lira. Kanë një mentalitet fitues si ekip. Jam i gatshëm për lojë dhe për ndeshjen kundër Suedisë”.
Kosova mban vendin e 4-t të Grupit B me 4 pikë nga 5 ndeshje të zhvilluara. Spanja mban kreun me 13 pikë në 6 ndeshje të luajtura, kurse Suedia është në vendin e dytë me 9 pikë nga 4 ndeshje. Greqia është në vendin e 3-të, kurse Gjeorgjia renditet e fundit.