RTSH Sport Live

Seria A zbardh datën kur nis sezoni i ri

  • 22/06/2022
  • |
  • Itali
Seria A zbardh datën kur nis sezoni i ri
Më datë 24 qershor hidhet shorti për kalendarin, tre ndalesa gjatë kampionatit

Është përcaktuar zyrtarisht data e fillimit të sezonit të ri të kampionatit italian. Do të jetë një kampionat 'anormal', organizimi i të cilit padyshim do të ndikohet nga ndërprerja e Kupës së Botës që do të zhvillohet në Katar midis nëntorit dhe dhjetorit. Seria A pritet të fillojë fundjavën e së shtunës 13 dhe të dielën e 14 gushtit.

Dy ditë në të cilat do të zhvillohet java e parë nga 38 javët e kampionatit. Kampionati i ardhshëm i Serisë A përfshin tre ndalesa. E para u caktua për fundjavën 24-25 shtator 2022 pas javës së 7-të të për t'i lënë vend angazhimeve të përfaqësueseve në Ligën e Kombeve.

Ndalesa e dytë, si dhe më e gjata, është ajo që përkon me fillimin e Kampionatit Botëror në Katar, aktivitet që do të zhvillohet nga data 21 nëntor deri më 18 dhjetor. Për rrjedhojë, kampionati do të ketë një periudhë shumë të gjatë ndërprerjeje, e cila do të zgjasë nga data 13 nëntor deri më 4 janar.

Pra do të jenë 54 ditë pushim. Më në fund, do të ketë edhe një ndalesë të tretë në fundjavën 25-26 mars, sërish për t'i dhënë hapësirë ​​ ndeshjeve të përfaqësueseve.

24 qershor në orën 12:00 do të hidhet shorti për kalendarin e 38 javëve të kampionatit italian, të cilat do të jenë sërish asimetrike.