U desh një diagonale në ajër e Dimarkos në minutën e 51’ që Interi të mbajë kreun e klasifikimit të Serie A. Zikaltrit kaluan transfertën delikate të Empolit falë një super goli të mëngjërashit, i cili mundi Berishën me një goditje në ajër në hyrje të zonës.
Për milanezët fitorja në Toskanë kishte mjaft rëndësi pasi u lejoi që të mbanin në distancë sigurie rivalet për titull (+3 nga Milani, +5 nga Juventusi).
Sa i përket portierit shqiptar të Empolit, ndeshja ishte mjaft e vështirë. Përpara se të pësonte golin e vetëm të takimit, portieri kuqezi u kthye në protagonist duke i mohuar golin miqve në disa momente. Në minutën e 12-të Dimarko provoi nga distanca duke gjetur gati 34-vjeçarin. Ky i fundit do të përgjigjej mjaft mirë edhe në minutën e 38’ kur Turam uli topin për Martinezin, i cili hezitoi për një moment duke i lejuar shqiptarit të bllokonte sferën. Dy minuta më pas Berisha i mohoi golin Fratezit pas një asisti të Çalhanoglu. Edhe në të 50’ Berisha tregoi se çfarë është i aftë të bëjë duke bllokuar një top të Dimarkos pas një aksioni të Mkhitarjanit.
Pritjet e shqiptarit nuk i kanë shërbyer shumë Empolit. Skuadra në fjalë është ende në kërkim të golit dhe pikës të parë në kampionat.