RTSH Sport Live

Sezoni i ri, pothuajse të gjithë në shtëpi

  • 06/08/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Sezoni i ri, pothuajse të gjithë në shtëpi
Në Superiore emigrojnë dy skuadra, tek e Para mbetet pa stadium vetëm Besa

Sezoni i ri i futbollit shqiptar do të startojë pas pak ditësh me probleme të vjetra e të reja por edhe shumë risi e ndryshime. Dështimi i skuadrave në Europë është një histori e kaluar ndërsa deri në 20 gusht, kur java e parë e Superiores të startojë menjëherë me një supersfidë si Kukësi-Tirana, merkatoja do të vazhdojë të mbetet kryefjalë e ditëve të nxehta të muajit të fundit të verës. Ndryshimet e mëdha që janë bërë në infrastukturë pritet ta lehtësojnë dhe jo pak punën e skuadrave, shume prej të cilave në sezonet e fundit kanë qenë nomade mes stadiumeve të skuadrave të tjera në garë.

Në Kategorinë Superiore, situata është normalizuar ndjeshëm me rikthimin e Kukësit në shtëpi. “Kukësi Arena” ka sistemuar përfundimisht një prej skuadrave pretendente, Skënder Gega me djemtë e tij do të ketë gjatë gjithë sezonit mbështetjen e tifozërisë vendase. Nuk ka më justifikime për ekipin që gjatë tre sezoneve të fundit ka udhëtuar sa mes Shkodrës, Elbasanit e Rrogozhinës sepse stadiumi modern që ka kushtuar rreth 10 milione euro është në dispozicion të skuadrës që gjithesi do te vazhdojë të stërvitet në kryeqytet dhe vetëm pak përpara ndeshjes do të udhëtojë drejt qytetit verilindor.

Nga Kukësi në Tiranë, Partizani dhe kampionët në fuqi do të luajnë në në shtëpi të përbashkët, Arenën Kombëtare. Burime nga FSHF konfirmojnë se dy skuadrat kryeqytetase kanë vendosur të përdorin gjatë gjithe sezonit stadiumin modern duke pranuar gjithashtu të paguajnë një shume të majme për çdo ndeshje, pavarësisht faktit nëse do të ketë apo jo interes për çdo njërën nga 18 ndeshjet e shtëpisë.

Në këtë mënyrë, Elbasan Arena merr frymë tërësisht pasi të kuqtë largohen përfundimisht nga stadiumi i qytetit fqinjë që e kanë përdorur jo pak gjatë viteve të fundit. Një lëvizje deri diku e kuptueshme edhe nga ana e Tiranës që ka zgjedhur kushtet ideale për të luajtur duke ia lënë shtëpinë e saj, stadiumin Selman Stermasi, Dinamos. Kompleksi në zemër të kryeqytetit do të përdoret nga nëndetësja gjatë gjithë sezonit në të Parën dhe të paktën për një sezon do të rikthejë emrin e vjetër në stadiumin që për shumë vite e ka konsideruar si shtepinë e saj.

Dy janë skuadrat që do të emigrojnë në Superiore këtë sezon. Kastrioti do të vazhdojë t’i luajë ndeshjet e shtëpisë si pritës në Kamëz ku do të paguajë një shumë simbolike për të huazuar sërish këtë kompleks modest në dyert e kryeqytetit, ndërsa lëvizjen e papritur e ka bërë Erzeni teksa ka zyrtarizuar marrëveshjen me klubin e Teutës për të përdorur stadiumin Niko Dovana. Pas një pune të gjatë me fushë që dëmtoi jo pak sezonin e kaluar Teuten, stadiumi durrsak është në kushte ideale dhe do të presë 36 ndeshje vetëm në kampionat pa llogaritur ato të Kupës. Një minus i vogël për Erzenin që nuk ka mbështetjen e tifozëve shijakas, që gjithsesi duhet thjeshtë të bëjnë pak km më shumë për të mbështetur skuadrën e tyre pas rreth dy dekadash sërish në Superiore.

Egnatia që deri në këtë pikë të merkatos po rezulton një nga klubet më aktive, e ka tashmë shtëpinë e saj moderne që ndryshe nga sezonet e kaluar do të përdorë ekskluzivisht për ndeshjet e saj duke i dhënë fund marrëveshjeve për të pritur skuadra të tjera si Kukësi apo Teuta, ndërsa Bylis gjithashtu ka një shtëpi që i plotëson të gjitha kushtet. Mallakastriotët do të luajnë në “Adush Muça” ku do të kenë mbështetjen e njerëzve të zonës për një sezon të vështirë ku objektiv kanë mbijetesen.

Merr frymë edhe “Loro Boriçi” në Shkodër, që do të presë mesatarisht një ndeshje në dy javë vetëm kur në stadiumin e kryeqëndrës së veriut të luajë Vllaznia e Mirel Josës, ndërsa Laçi gjithashtu nuk ka probleme infrastrukture që mund të pengojnë objektivat e bardhezinjve tashmë të mësuar me kushtet e stadiumit model të Kurbinit.

Më e kompletuar duket tabloja e së parës ku problemet më të mëdha janë në Kavaje. Rasti më flagrant është ai i Besës. Me një stadium tërësisht të amortizuar, skuadra kavajase do të udhëtojë sërish në Luz ku gjatë këtij sezoni do të ketë përplasje shpesh herë edhe me Luzin 2008, që për herë të parë do të luajë në një kategori më inferiore se e dyta.

Pjesa tjetër e skuadrave kanë siguruar licencimin me stadiumet e tyre, duke filluar që nga Oriku i rikthyer në të parën, i cili do t’i luajë ndeshjet në Orikum dhe për të vazhduar me Flamurtarin, Skënderbeun, Apoloninë, Tërbunin, Lushnjen Burrelin Beselidhjen e Turbinën. Si për ironi, Kategoria e Parë duket se është më e kompletuar dhe gati për të nisur një sezon pa telashe dhe ndryshime të mëdha në kalendar për shkak të skuadrave pa stadiume. Sezoni i ri i gjen pothuajse të gjithë në shtëpitë e tyre.