RTSH Sport Live

Sfida me Vllazninë, Shehi: Nuk kemi frikë

  • 14/01/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Sfida me Vllazninë, Shehi: Nuk kemi frikë
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi flet në prag të sfidës me Vllazninë

Një tjetër provë force në rrugëtimin sfidues drejt objektivit të pakompromentueshëm të këtij sezoni, titullit kampion. Tirana bëhet gati për sfidën e madhe, “Klasiken” e futbollit shqiptar, atë me Vllazninë, që do të luhet të shtunën në “Air Albania”, ora 19:45.  Bardheblutë kërkojnë të vazhdojnë me të njëjtin ritëm, gjë e cila pasqyrohet qartë dhe në konferencën për shtyp të trajnerit, Orges Shehi.

“Përballemi me një kundërshtar direkt, si nga cilësia ashtu dhe nga afërsia në tabelë. Ka një rëndësi të veçantë kjo ndeshje, sepse vjen pas pushimeve dhe duam të hyjmë sa më parë në ritëm, të nisim aty ku e lamë. Ne nuk i druhemi asnjë kundërshtari, asnjë mënyre loje. Ne kemi mënyrën tonë të lojës, aty do të jemi të përqëndruar”.

“Jemi në një kampionat me shumë pretendentë dhe përballjet janë javë pas jave. Sigurisht, dihet që do të vijnë dhe përballjet e forta. Por ne nuk duhet të mendojmë për ndeshjet e tjera, objektivi ynë është vetëm ndeshja e nesërme, sepse e dimë që është ndeshje e fortë. Një sfidë që kërkon përqëndrimin dhe mentalitetin që kishim më parë”.

“Formacioni? Do të shikojmë në momentin e fundit. Dinamika është e ndryshme nga ndeshja në ndeshje, do të veprojmë në varësi të situatës. Kemi bërë mirë deri tani, por si të gjithë kemi dhe mangësi. Do të përpiqemi që ti rregullojmë. Do të doja të vazhdonim aty ku e kemi lënë. Gjithsesi, ne jemi klub që kurrë nuk mund të fshihemi, kemi objektiva madhorë”.

“Kundërshtarët janë javë pas jave. Tani është Vllaznia , nuk duhet të mendojmë për gjë tjetër. I gjithë përqëndrimi duhet të jetë për Vllazninë. Nuk i druhem asnjë llojë kundërshtari, sepse kemi në skuadër lojtarë me karakter”, ka deklaruar Shehi.