Shqipëria është organizatore për herë të parë e Champions League në shah për meshkuj dhe për femra, që zyrtarisht ka nisur të shtunën me Ceremoninë e Hapjes. Pikërisht në Durrës do të jenë pjesëmarrës 84 ekipe meshkujsh dhe 26 ekipe femrash, ndërsa do të luhet me shtatë raunde, të cilat zhvillohen pasdite. Tirana për meshkuj dhe Teuta për femra janë përfaqësuesit e Shqipërisë, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit kanë marrë përshëndetjet e presidentit të Federatës Shqiptare të Shahut, Erald Dervishi, si dhe të presidentit të nderit të Federatës Shqiptare të Shahut, Eduard Shalsi. Por si mbështetës i këtij aktiviteti, Fidel Ylli, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ka falënderuar të gjithë organizatorët e këtij evenimenti.
“Federata Shqiptare e Shahut ka bërë dy aktivitete të mëdha në këtë resort. Në maj ishte Kampionati Europian i Shkollave, ku patën rezultate spektakolare, dhe tani Champions League të klubeve. Prandaj duhet ta falënderoj presidentin e Federatës Europiane të Shahut dhe atë të Federatës Botërore të Shahut që kanë zgjedhur Shqipërinë për të bërë një aktivitet kaq madhor", ka nënvizuar Fidel Ylli.
Ndërkohë presidenti i Federatës Europiane të Shahut, Zurah Azmaiparashvili, ka uruar shahun shqiptar për titullin Kampion Europe të 13-vjeçares, Kler Çakun, që doli e para në Rapid
“Në radhë të parë më duhet të falënderoj mikun tim Erald Dervishin, por dhe shahun shqiptar që mori përsipër organizimin e këtij Kupe Europe për klubet. Jam i bindur që të gjithë do të shijojnë bukuritë e këtij vendi bregdetar, si dhe do të bëjnë një garë të mirë e cilësore. Me bindjen të plotë që Shqipëria do të tregojë vlera dhe mundësi për aktivitete të tjera”, thotë Azmaiparashvili.
Champions League e shahut për meshkuj dhe për femra përfundon më 8 tetor.