RTSH Sport Live

Shalondë: Ndaj Greqisë, si ndaj Gjeorgjisë

  • 05/09/2021
  • |
  • Kosova
Shalondë: Ndaj Greqisë, si ndaj Gjeorgjisë
Trajneri i Kosovës flet para sfidës me helenët, Rashica beson tek momenti i mirë

Trajneri i Kosovës, Bernard Shalondë, ka thënë se futbollistët e tij duhet të tregojnë lojë të mirë e të fortë edhe ndaj Greqisë të dielën, ashtu siç bën ndaj Gjeorgjisë dy ditë më parë. Ai e di se kundërshtari që kanë përballë kanë një skuadër tejet cilësore.

 “Ndeshja me Greqinë është e rëndësishme për ta konfirmuar ndeshjen e mirë në Gjeorgji, - deklaroi zvicerani, duke vijuar: “Luajmë ndaj një ekipi me lojë e lojtarë të mirë. Duhet të tregojmë edhe një herë lojë të mirë e të fortë. Ndeshja e parë ishte e mirë. Ndeshja e dytë nuk duhet të jetë problem, nuk kemi shumë lojtarë me lëndime. Rigjenerimi shkoi shumë mirë. Ishte përgatitje e mirë për ndeshjen e dytë. Ndeshja e tretë do të jetë e vështirë. Duhet të kemi kujdes edhe nga kartonët. Lojtarët janë gati për duelin e së dielës”.

70-vjeçari foli gjithashtu edhe për rikthimin e tifozëve në tribuna.

 “Është shumë e rëndësishme që tifozët janë kthyer, - tha ai, duke vijuar: “Nuk është njëjtë kur stadiumi është i mbushur plot e kur është vetëm 10 për qind. Por është gjë e mirë që një numër i tyre do të jetë në stadium. Covid-19 na ka shkaktuar shumë probleme. Me 10 për qind, Dardanët mund të bëjnë shumë zhurmë.” Ndërkaq, futbollisti i Kosovës, Milot Rashica, ka thënë se shanset janë shumë të mira që të dalin me rezultat pozitiv nga ndeshja kundër Greqisë. 

Rashica shpreson që Kosova t’i shfrytëzojë rastet që i jepen në ndeshje, teksa thotë: “Jemi në situatë krejt tjetër nga ndeshjet e kaluara. Besoj dhe shpresoj që ndeshja me Gjeorgjinë ka treguar që luajmë mirë. Shanset janë të dalim me rezultatin pozitiv nga kjo ndeshje. Besoj që gjithë e dinë që ne luajmë mirë në lojën ofensive. Në këso ndeshje detajet vendosin. Besoj dhe shpresoj ta bëjmë lojën tonë. Edhe në ndeshjen e kaluar patëm raste të mira dhe rastet që nga jepen duhet t’i shfrytëzojmë’’, deklaroi ai. Ndeshja Kosovë-Greqi luhet të dielën, duke nisur nga nga ora 20:45 në Stadiumin “Fadil Vokrri”.