RTSH Sport Live

Shaqiri këshillon Zvicrën: Kujdes nga Ronaldo

  • 04/12/2022
  • |
  • Boterori Katar 2022
Shaqiri këshillon Zvicrën: Kujdes nga Ronaldo
“Për mua ai mbetet, së bashku me Messin, një nga futbollistët më të mirë në botë”

Ndërsa 70% e të anketuarve në një sondazh të gazetës sportive portugeze 'A Bola' dëshirojnë që Cristiano Ronaldo të mos ishte pjesë e formacionit fillestar të Portugalisë teksa përballen të martën me Zvicrën në fazën e 16-shes të Kupës së Botës, ‘zvicerani’ Shaqiri paralajmëron të tijtë: CR7 është rreziku më i madh. Sipas ish-lojtarit të Interit, fakti që fituesi i shumëfishtë i Topit të Artë është 37 vjeç dhe aktualisht pa një ekip klubi do të thotë pak ose aspak. "Shumë kujdes për Ronaldon - tha Shaqiri sot -. Për mua ai mbetet, së bashku me Messin, një nga futbollistët më të mirë në botë”.

“CR7 mund të të shënojë në çdo sekondë, në çdo minutë të një ndeshjeje, me përvojë që ka ai nuk të lë kurrë të qetë dhe vazhdon të jetë thelbësor për Portugalinë. Ka edhe lojtarë të tjerë të shkëlqyer, nuk është vetëm Ronaldo, kështu që do të jetë një test veçanërisht kërkues për ne. Do të duhet të japim më të mirën tonë për t'i mposhtur ata. Nuk ka talente si Cristiano ekipi ynë, është i gjithë grupi që do të duhet të bëjë diferencën. Ne kemi nevojë për një performancë të shkëlqyer kolektive”.

Të dy skuadrat e njohin mirë njëra-tjetrën, pasi u takuan në Ligën e Kombeve, ku portugezët fituan 4-0 (dopietë nga Ronaldo) ndërsa zviceranët mbizotëruan 1-0 në Gjenevë: “Ja ku jemi në Kupën e Botës dhe gjithçka mund të ndodhë. – thotë Shaqiri – Por po e përsëris se do të duhet të jemi të shkëlqyer sa i përket performancës kolektive”.