RTSH Sport Live

Sherri në Shkodër, Kalivopulli kërkon dorëheqjen

  • 19/09/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Sherri në Shkodër, Kalivopulli kërkon dorëheqjen
Federata Shqiptare e Boksit bëhet gati për një analizë të gjerë të incidenteve në kampionat

Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopulli, është në prag të dorëheqjes në pozicioni i tij. Të paktën kështu ka deklaruar në një status në faqen e tij në facebook, ndërsa gjithçka lidhet me incidentet e ndodhura në Kampionatin Kombëtar të Boksit për të rritur, atje ku një sherr masiv mes tifozëve shkodranë dhe trajnerit të Tiranës, Sead Bushati, pushtoi parketin e Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër. “Duke reflektuar ndaj komunitetit të boksit, i cili me të drejtë është i shqetësuar, kam vendosur që në ditët në vazhdim të thërrasë Komitetin Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Boksit dhe t’u kërkoj atyre dorëheqjen time si president.

Shkak për këtë gjë ishin incidentet e djeshme ndodhur në qytetin e Shkodrës gjatë zhvillimit të Kampionatit Kombëtar. Jam munduar që me pasion dhe dashuri pa fund të bëja më të mirën. Boksi nuk duhet të ndalet. Rrugëtimi i tij premton”, thotë presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopulli, në statusin e tij në facebook. Ndërkohë RTSH Sport është munduar të kontaktojë dhe të marri prononcimet e stafit të Tiranës, si me trajnerin Sead Bushati, ashtu dhe Renato Kurti.

Por të gjithë kanë hezituar, ndërsa pritet që klubi shumësportësh Tirana të bëjë dhe një mbledhje dhe të mbajë një qëndrim zyrtar për ngjarjen në fjalë. E sa i përket mbledhjes së kryesisë së Federatës Shqiptare të Boksit, atje ku vendimi për dorëheqje të Kalivopullit do të diskutohet dhe do të hidhet në votë, megjithëse nuk duket se ka kthim pas, të paktën sipas sekretarit të përgjithshëm, Enea Kovaçi, do të mund të jetë në mesjavë. Gjithsesi e gjithë ngjarja e ndodhur në Shkodër nuk i prish imazhin vetëm boksit, por në tërësi dhe të gjithë sportit në vend.