Shkarkimi i Julian Nagelsmann nga Bayern Munich është pasuruar me lajme të reja. Pavarësisht arritjes në çerekfinale të Champions League dhe një renditje që i sheh bavarezët vetëm një pikë larg kreut në kampionat, klubi vendosi ta shkarkojë atë.
Disa ditë para se të ndodhte diçka e tillë, Nagelsmann kishte bërë të ditur se në dhomat e zhveshjes ka probleme dhe se veteranët e skuadrës kërkonin shkarkimin e tij. Orët e fundit, gazeta Bild ka zbuluar emrat e lojtarëve që do të kishin kërkuar largimin e tij.
Bild ka zbuluar emrat e gjashtë lojtarëve të pakënaqur me trajnerin, duke i bërë presion drejtuesve për ta shkarkuar atë. Sipas gazetës lojtarët janë: Neuer, Gnabry, Sanè, Manè, Musiala dhe Cancelo. Përveç problemeve me ta, u shfaq edhe një detaj tjetër: klubi asnjëherë nuk i doli në krah teknikun në mardhënien sentimentale me gazetaren e Bild Lena Wurzenberger. Kaq shumë probleme e shtynë klubin ta zëvendësojë atë me Tuchel.