“Fitorja e Skënderbeut e bëri të bukur luftën në fundin e tabelës”. Kështu e nis Shkëlqim Muça analizën e tij të javës së 31-të të Kategorisë Superiore në emisionin “Rubrika Sportive në RTSH. “Më pëlqeu ndeshja mes Partizanit dhe Apolonisë, nëse do më duhet të veçoj një të tillë, ndërsa sfida mes Vllaznisë dhe Teutës ishte shumë e dobët, nuk bënë dy pasime".
Fitorja e Partizanit – “Ndonjëherë futbolli thotë dhe jo, por Partizani ishte i vendosur, po e kërkonte golin. Mendoj se është ekipi më i mirë në këto moment. Ndërsa po shikonim ndeshjen, të krijohej përshtypja se goli do të mbërrinte nga moment në moment. Krijoi lojë, krijoi raste. Arriti të shënojë në momentin që ndoshta nuk po luante dhe aq mirë. Tani rëndësi kanë tri pikët. Ndeshja në Korçë? Një skuadër që kërkon titullin duhet të tregojë veten kudo. Është një ndeshje e vështirë, Skënderbeu po kalon një moment të mirë, por Partizani i ka lojtarët”.
Një ndeshje mediokre - “Vllaznia u duk diçka më mirë, ndërsa Teuta ishte shumë e shpërndarë, e pa orientuar në nivelin teknik dhe taktik. Është një skuadër që gabon shumë teknikisht. Mesfusha gaboi shumë në pasime. Prandaj e cilësoj një ndeshje mediokre në nivelin teknik. Ndoshta ishte dhe frika ndaj njëra jetrës, që solli në një ndeshje të tillë. Ishte një ndeshje kampionati, duhet të futesh në fushë për të fituar, ishte në vend të parë, por Teuta nuk e tregoi këtë. Si mund të dalësh kampion po nuk munde rivalët direktë?”
E lehtë për Laçin? - “E lehtë nuk ishte, pasi kishte një ngarkesë për Laçin, pavarësisht se në përbërje ka element të mirë. E zgjidhi ndeshjet shpejtë dhe arriti të marrë tri pikë të rëndësishme në këto moment. Kukësi është një skuadër e lehtë, sidomos në mbrojtje, ka pësuar shumë gola”.
Barazimi i Tiranës - “E kishte detyrim ta fitonte si ndeshje, por e fali. Në këtë pikë që ka ardhur kampionati, duhej fitore. Tirana ka humbur dy pikë shumë të rëndësihme për vazhdimësinë. Kishte dy-tre mundësi në fillim për të shënuar, por nuk ia doli. Përveç derbit me Partizanin, bardheblutë e kanë kalendarin disi më të lehtë në vazhdim. Po të fitonte me Bylisin, do të kishte më shumë mundësi”.
Triumfi i Skënderbeut - “Kastrioti ka bërë ndeshjene tij, ka pas mundësi, raste për të shënuar, por i tillë është futbolli. Kastrioti ishte më afër fitores me lojën që bëri, por Skënderbeu shfrytëzoi rastet dhe shënoi”.