RTSH Sport Live

Shkëlqim Muça: Daja u tregua më ekspert

  • 21/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Shkëlqim Muça: Daja u tregua më ekspert

Shkëlqim Muça, i përhershmi i Rubrikës Sportive në RTSH, ka bërë analizën e radhës, duke u ndalur në gjithçka që ka ndodhur në javën e 15-të të Kategorisë Superiore.

PARTIZANI-TIRANA: Derbi dhe eksperti Daja - “Derbi ishte një ndeshje e luftuar mirë, kishte ritëm. Ishte një ndeshje e ekuilibruar. Tirana kishte agresivitet, ndërsa Partizani ishte më i disiplinuar taktikisht. Me daljen e lojtarëve me karton të kuq nga loja, Daja u tregua më ekspert. Zëvendësimet e bëra, e përmirësuan Partizanin. Lojtarët zëvendësues te Tirana nuk janë në të njëjtin nivel me ata që luajnë".

“Një largim i mundshëm i Muçit? Mendoj se Tirana, nëse do të kishte derbin, edhe mund ta mbante, por në këto kushte, besoj se do të largohet për të bërë kompensim”

“Arbitrimi? Mendoj se arbitri bëri shumë gabime, jo çdo faull është karton. Bardhi te moment i kartonit të dytë të verdhë nuk bëri asgjë”.

BYLIS-VLLAZNIA: Terreni ndikoi, por…“E prisnim që Bylis ta vinte në vështirësi. Në fushën e saj kjo skuadër ka agresivitet, por edhe terreni nuk është se favorizonte Vllazninë, për mënyrën se si luan. Gjithsesi, shkodranët nuk u dorëzuan asnjëherë, tregoi karakter deri në fund. Optimizmi, ajo frymë që është në skuadër, të japin dhe rezultat. Në momentin e shënimit të golit të Vllaznisë, në fakt mendoj se ka një faull”.

KASTRIOTI-TEUTA: Sukses në një fushë të vështirë - “Fusha e Kamzës ku luan Kastrioti, është shumë e vështirë për të marrë fitore. Por Teuta ka cilësi, është në konsolidim e siper, por është afër kryesuesve. Tani mendoj se për ta fillon kampionati i vërtetë. Në lojë janë akoma shumë ndeshje, pavarësisht distancës në pikë”.

LAÇI-SKENDERBEU: Kur nuk shënon, e pëson - “Pas humbjes në Fier, pritej një reagim. Çdo skuadër që ka pretendime, kërkon të reagojë. Laçi bëri lojë, krijoi raste, por në futboll ka dhe një ligj të pashkruar: kur nuk shënon, e pëson”.

APOLONIA-KUKËSI:  Ka ndryshuar për mirë - “Kukësi u rikthye te fitorja, mendoj se diçka ka ndryshuar. Pjesa e parë ishte shumë e mirë, pashë shumë agresivitet. Peposhi mendoj se ishte lojtari më i mirë. Ka tri ndeshje përpara, që mund të konsiderohen të kalueshme, nëse mer maksimumin, atëherë mund të futet në lojë për të pretenduar”.