RTSH Sport Live

Shkëlqim Muça: Tirana ka bërë hapa para

  • 04/04/2021
  • |
  • Kategoria Superiore
Shkëlqim Muça: Tirana ka bërë hapa para
Një analizë e javës së 26-të e Kategorisë Superiore në “Rubrika Sportive” në RTSH

Barazimi i Vllaznisë me Partizanin në “Loro Boriçi”, suksesi i Teutës përballë Laçit, që e katapultoi në vendin e parë. Fitorja me përmbysje e Tiranës, disfata e Kukësit si dhe lufta e fortë në fundin e tabelës. Gjithçka në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, në një analizë të detajuar nga i përhershmi Shkëlqim Muça.

Situata në Kategorinë Superiore, ngjeshja e skuadrave – “Tregon rivalitet edhe për faktin që skuadrat me njëra tjetrën janë përplasur. Tirana ka përfituar dhe ka bërë hapa para, është afruar, është në lojë për titullin, sepse ndeshje ka shumë. Janë 10 ndeshje, 30 pikë në lojë. Kampionati është shumë interesant sepse ka rivalitet, pesë ekipe janë aty luftojnë për titull. Tirana nuk hoqi dorë, ka ecur mire”

TEUTA-LAÇI 1-0 -  “Ishte një 90 minutësh shumë i mirë për Teutën, një trepikësh shumë i vlefshëm, edhe për të ngrit moralin edhe për ti dhënë një atmosferë tjetër. Teuta ka qënë një skuadër që nuk na ka bindur me të mëdhatë. Në këtë ndeshje ishte më e lirshme, arriti një fitore plotësisht të merituar. Edhe goli i Bregut ishte fantastik”.

VLLAZNIA-PARTIZANI 0-0 – “Prisja më shumë nga kjo ndeshje përsa i përket agresivitetit, në lojën sulmuese. Partizani është një skuadër që e organizon lojën mirë, është e ekuilibruar, por mendoj se i duhet një marsh më shumë në ato metrat e fundit. Agresivitet më të madh nga ana e sulmuesve apo mesfushorëve, për ta kërkuar golin edhe me dhunë. Në minutat e para i krijoi një presion Vllaznisë, më pas shkodranët dolën nga presioni nga ajo rrjetë e krijuar dhe doli në lojën e saj. Ndeshja u fut në shinat e barazisë. Rrodhi gjatë gjithë kohës në kushte të barabarta. Por mendoj se Partizani ka mundësi për të bërë më shumë në aspektin sulmues”.

TIRANA-APOLONIA 5-2 – “Tirana nuk ka llogari në ekuilibër, lë hapësira mbrapa, rrezikon por edhe reagon, ka karakter. Humbi pjesën e parë 1-2, u fut pjesën e dytë dhe reagoi me forcë, me një sulm frontal. Është një skuadër që e tenton portën gjithmonë. Tani që është aty afër, është bërë një skuadër e rrezikshme. Lojtarët i ka të gjihë në gjendje, trajneri mendoj se po punon mirë, ka krijuar një atmosferë, një klimë të mirë. Tirana është aty”.

KUKËSI-SKËNDERBEU 0-1 – “Kur mer një rrugë të tillë, pastaj vijnë të gjitha të këqijat. Është ana psikologjike, bie motivimi, lojtarët futen pa dëshirë në lojë, sepse kanë dalë jashtë të gjitha objektivave. Është shumë e vështirë ta mbledhësh një skuadër të tillë kur shkon në këto nivele, kjo u reflektua edhe në ndeshje. Më shumë dëshirë në këtë sfidë kishte Skënderbeu, më shumë agresivitet në fushë, për vetë objektivat që ka”.

BYLIS-KASTRIOTI 1-1 – “Bylis luajti më mirë, si lojë, por goli i shpejt që bëri Kastrioti jep tjetër pamje. Krutanët mund ta kishin fituar ndeshjen, nëse Hidi nuk do e kishte bërë atë gabim. Më pas Bylis kishte mundësi më shumë për të fituar”.