RTSH Sport Live

Shkëlqim Muça: Vllaznia në rrugën e duhur, Teuta e shpërfytyruar. Partizani, një aksident

  • 10/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Shkëlqim Muça: Vllaznia në rrugën e duhur, Teuta e shpërfytyruar. Partizani, një aksident
Shkëlqim Muça ka analizuar javën e 13-të të Kategorisë Superiore në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH

Shkëlqim Muça, me një urim për vitin e ri, ka nisur dhe rrugëtimin me analizën e tij  në Rubrikën Sportive në RTSH për atë që ka ndodhur gjatë javës së fundit në Kategorinë Superiore.

Në fillim është ndalur te “Më të mirët e Vitit” organizuar nga RTSH Sport: “Me zgjedhjen e lojtarëve më të mirë i jepet një panoramë edhe kampionatit. Unë kam votuar duke u mbështetur te sezoni i kaluar, te ata që kanë fituar më shumë trofe. Ishte diçka shumë e bukur, diçka që le një shije të mire”.

Dominimi i Vllaznisë dhe shpërfytyrimi i Teutës – “Vllaznia kishte gjithçka më shumë si ndeshje, e dominoi edhe kur ishte me 10 lojtarë. E zhvlerësoi Teutën nga minuta 70-të e në vazhdim. Nuk u organizu Teuta, nuk krijoi fare as në sulm. Kjo tregon sa larg është skuadra durrsake nga mendimi jonë për të qënë një ekip për kampion, me atë që ka dhënë në fushë është shumë larg. Vllaznia është shumë afër këtij objektivi, nga java në javë e ka rritur personalitetin, është pjekur si skuadër dhe po vazhdon me këtë ritëm. Po tregon stabilitet në lojë dhe rezultat. Teuta, sidomos pas minutës së 70, mendoja se do të barazonte, por u shpërfytyrua. Edhe nga ndërrimet që u bënë, u fut i gjithë arsenali i sulmuesve, kjo është mangësia që kanë në drejtim, sepse nuk kanë përcaktuar dublantët e secilit lojtar. Struktura e skuadrës nuk ndryshon, nuk mund të fusësh pesë sulmues dhe të lëshë ekipin mbrapa me katër lojtarë. Loja e Teutës u bë konfuze, ndërsa Vllaznia mbajti të njëjtin ritëm, është në rrugë të drejtë”.

Laçi fitoi me meritë të plotë – “Laci fitoi një ndeshje që e meritoi plotësisht, e dominoi lojën, ishte më i lirshëm në veprime. Pas goli të parë, u bë akoma më i rrezikshëm, sepse u liruar shumë si skuadër. Kishte kombinacione të mira, lojtarët ishin të vendosur mirë. Ishte një lojë e rrjedhshme dhe në çdo aksion ishin afër golit. Kukësi është një skuadër që noton akoma në ujra të turbullta, e pakolauduar mirë, sidomos në veprimin mbrojtës si skuadër. Është një ekip i lehtë, që ska agresivitet, por në aspektin mbrojtës lë shumë për të dëshiruar. Nuk mbron mirë në bllok, në veprimet sulmuese ka lojtarë të mirë. Hallaçi? Mendoj se duhet të mbështetet. Ai duhet të të fusë filozofinë e vet, duhet të trajtohet si trajner".

Partizani, një aksident  - Muça e ka cilësuar si një aksident humbjen e të kuqve përballë Apolonisë në këtë javë. “Apolonia u shfaq disi më ndryshe, sidomos në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ishte e njëjta. Humbja e Partizanit ishte një aksident. Të kuqtë e kontrolluan lojën, por gabuan në finalizim. Është trajneri që vendos, por unë do doja ta shikoja më shumë Bardhin në fushën e lojës dhe të luante më pranë portës kundërshtare”.

Tirana, mori atë që meritonte – I ashpër Muça me atë që po ndodh me skuadrën e Tiranës, e cila përballë Bylisit ka koleksionuar barazimin e pestë radhazi. “Tirana barazoi sepse nuk mund të ngjitet në nivel, mori atë që meritonte. Kësaj skuadre i mungon agresiviteti. Kanë nevojë për lojtarë dhe cilësi. Nëse largohet edhe Muçi, atëherë bëhet akoma më e vështirë. Mbetet për tu parë se si do të shkojë”.

Kastrioti e mori lehtë – “Kur luan me të mëdhatë, mblidhet, bëhet agresive. Kur luan me të voglat, e mer lehtë. E tillë është skuadra e Kastriotit”, është ky mendimi i Muçës për skuadrën krutane për barazimin me Skënderbeun.