RTSH Sport Live

Shkëmbi flet si dinamovit: Pretendojmë nivele të larta

  • 17/06/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Shkëmbi flet si dinamovit: Pretendojmë nivele të larta
Bledi Shkëmbi është prezantuar si trajner i Dinamos duke shpalosur dhe objektivat për të ardhmen

Bledi Shkëmbi është prezantuar gjatë ditës së sotme si trajner i skuadrës së Dinamos, e cila ka siguruar pjesëmarrjen në Kategorinë Superiore për sezonin e ardhshëm. Në prezantimin e tij, pas fjalëve falenderuese për drejtuesit e skuadrës, Shkëmbi ka shpalosur dhe objektivat, duke pretenduar ngjitjen e Dinamos në nivelet e kërkuara: në fitimin e titujve dhe pjesamarrjen në Kupat e Europës.

“Falenderoj drejtuesit për mundësinë që më dhanë, ishte e pamundur ti thoja jo një propozimi të tillë. Shpresoj të kem fatin ta kthej skuadrën në ato nivele që ka qënë më parë, duke fituar tituj dhe duke marrë pjesë në Kupat e Europës. Objektivat janë madhore, por në fillim do të shikojmë se çfarë mund të bëjmë në merkato”.

“Të fillosh nga zero dhe të pretendosh vendet e sipërme, sigurisht që është e vështirë. Por gjëja më e rëndësishme është që emri i Dinamos ka një impakt te lojtarët, shumë prej tyre janë të gatshëm të na bashkohen. Jemi në bisedime me disa emra. Presidenca ka krijuar një buxhet dhe na është komunikuar”.

“Ne do të punojmë duke vendosur emrat me kushtet financiare që janë në dispozicion. Këkrojmë ata lojtarë që mendojmë se i meritojnë këto kushte. Po mundohemi të krijojmë një bosht me lojtarë të kampionatit shqiptar, më pas të shikojmë. Nuk do të largohemi shumë nga Ballkani, janë lojtarë që na përshtaten”.