RTSH Sport Live

Shkëndija, Gjoka: Në Maqedoni nuk i duan shqiptarët kampionë

  • 28/12/2020
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Shkëndija, Gjoka: Në Maqedoni nuk i duan shqiptarët kampionë

Në Maqedoninë e Veriut, skuadra e Shkëndijës së Tetovës vazhdon të kryesojë kampionatin me 39 pikë, në 18 javë të luajtura. Diferenca me vendin e dytë, që mbahet nga Shkupi është 6 pikë. Trajneri i skuadrës kryesuese, Ernest Gjoka, në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në Radio Tirana, ka deklaruar: “Jemi të kënaqur me gjysmën e rrugës që kemi bërë, deri tani jemi në rregull. Jemi brenda objektivave. Kemi bërë 18 ndeshje, përveç atyre të Europës, kemi 17 ndeshje pa humbje, përveç ndeshjes së fundit, që mund të quhet një gabim normal. Këto gjëra ndodhin në një kampionat, por jemi në rrugën e duhur dhe të mendojmë të vazhdojmë kështu dhe në ndeshjet e tjera deri në përfundim”.

Pavarësisht ecurisë së deritanishme, Gjoka mendon se skuadrës i duhen përforcime: “Në këto 6 apo 7 vitet e fundit kemi patur buxhetin më të ulët, kështu që na duhet të bëjmë merkato. Drejtuesit e dinë që na duhen patjetër tre apo katër lojtarë për të vazhduar në rrugën e titullit, por dhe në Europë”.

Skuadrat shqiptare në kampionatin e Maqedonisë së Veriut janë forcuar së tepërmi dhe një gjë të tillë e pranon dhe trajneri Gjoka.

“Shkëndija dihet tashmë që është një skuadër pretendente, por është përforcuar edhe Shkupi, një nga rivalët kryesorë . Por nuk duhet të harrojmë edhe Strugën, është një ekip shumë i mirë, nuk ka asnjë humbje në fushën e saj, ka pretendime për në Europë. E vetmja skuadër që nuk po arrin aty ku duhet është Renova. Besoj se edhe ajo gradualisht mundet të rritet dhe të ketë ato pretendimet e saj që të mos bjerë nga Superliga. Është një luftë shumë e fortë në futbollin maqedonas. Është një luftë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, edhe në futboll edhe në jetën e përditshme dhe në gjithçka. Është një luftë që do vazhdojë, sepse është një histori shumë e madhe, që nuk na takon neve ti hyjmë kësaj pune”.