RTSH Sport Live

Shkodra i jep lamtumirën e fundit Ramazan Rragamit

  • 16/01/2022
  • |
  • Të tjera
Shkodra i jep lamtumirën e fundit Ramazan Rragamit
Shumë nderime e vlerësime për Mjeshtrin e Madh të futbollit kuqeblu dhe atij kombëtar

Shkodra dhe e gjithë Shqipëria, por dhe mbarë trojet shqipfolëse, të dielën në mesditë i kanë dhënë lamtumirën e fundit Ramazan Rragami. Ish-futbollisti i njohur i Vllaznisë dhe Partizanit, por dhe i kombëtares shqiptare, me shumë trofe e medalje si lojtar dhe si drejtues, është ndarë nga jeta të shtunën në moshën 77-vjeçare. Për nder të tij holli i stadiumit “Loro Boriçi” ka pritur shumë njerëz, miq e shokë, të cilët kanë bërë homazhe pranë trupit të Ramazan Rragamit.  Figura e Ramazan Rragamit është nderuar jo vetëm nga presidenti i Republikës, Ilir Meta, apo dhe ish-kryeministri Sali Berisha, por dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Rragami mbi të gjitha ka qenë një edukator i shumë brezave lojtarësh të Vllaznisë, të cilët do të kontribuonin dhe me ekipin kombëtar, apo dhe me shumë bujë në kampionatet Europiane.

Ramazan Rragami spikaste edhe në jetën e tij personale familjare, ku së bashku me bashkëshorten e tij, Behijen, edhe ajo sportiste kampione, rritën dhe edukuan fëmijët e tyre shembullore. Madje, falë zgjedhjes së fëmijëve për të jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vitet e fundit ai u zhvendos në kontinentin tjetër ku qëndruar për shumë kohë atje. Rikthimi në Shkodër ishte në muajin dhjetor të vitit të kaluar atëherë ku nga të afërmit u bë e ditur se Mjeshtri i Madh vuante nga një sëmundje e rëndë.

Për rreth tre orë i gjithë qyteti verior ka bërë homazhe për të nderuar figurën e Ramazan Rragamit, trupi i të cilit më pas nga stadiumi “Loro Boriçi” u përcoll për në banesën e fundit. Një humbje e madhe jo vetëm për futbollin kuqeblu, por për të gjithë atë shqiptar ky largim nga kjo jetë i Ramazan Rragamit.