RTSH Sport Live

Shkupi-Shkëndija, mbyllet pa nisur

  • 09/11/2022
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Shkupi-Shkëndija, mbyllet pa nisur
Çerekfinalja e Kupës së Maqedonisë së Veriut, vetëm 9 minuta lojë dhe rezultat 1-0, tifozët futen në fushë

Plas në çerekfinalen e Kupës së Maqedonisë së Veriut, në ndeshjen mes Shkupit dhe Shkëndijës. Kur ishin luajtur vetëm 9 minuta dhe rezultati ishte 1-0 në favor të Shkëndijës, forcat e sigurisë nuk kanë mundur të sigurojnë mbarëvajtjen e ndeshjes dhe palët, pas diskutimesh të shumta, kanë vendosur ndërprerjen e takimit, në pamundësi për të vazhduar më tej.

Gjithçka është ndezur pas festimeve për golin e shënuar nga ana e Elezit(Shkëndija), që ka sjellë dhe iritimin e tifozërisë  kundërshtare, që nuk kanë nguruar të zbresin në fushën e lojës për të sulmuar lojtarët. Por gjithashtu janë hedhur edhe fishekzjarre apo sende të forta nga shkallët duke e bërë të pamundur vazhdimin e mëtejshëm të sfidës.

Fillimisht është tërhequr skuadra e Shkëndijës në dhomat e zhveshjes. Më pas drejtues të të dyja skuadrave, organizatorët, delegatët, arbitrat e ndeshjes, përgjegjësit për mbarëvajtjen e takimit, arritën në një përfundim se nuk janë kushtet e nevojshme për vazhdimin e sfidës. Në ditët në vazhdim pritet të merren dhe masat përkatëse për gjithçka që ka ndodhur.