RTSH Sport Live

Shkupi, vetëm një hap larg titullit në Maqedoninë e Veriut

  • 18/04/2022
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Shkupi, vetëm një hap larg titullit në Maqedoninë e Veriut
Kryeson renditjen e shkëputur 13 pikë, kur kanë mbetur edhe 5 javë

Shkupi vazhdon marshimin e pandashëm drejt titullit “kampion” në kampionatin e futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe skuadra shqiptare është tashmë vetëm dy pikë larg sigurimit edhe matematikisht të kurorës. Me fitoren minimale të arritur në fushën e Pelisterit të shtunën, skuadra e kryeqytetit është ngjitur në kuotën e 68 pikëve dhe është plot 13 pikë nga ndjekësja më e afërt, Akademija Pandev.

Teksa kanë mbetur edhe 5 javë, pra edhe 15 pikë në lojë, deri në përfundim të këtij sezoni në nivelin më të lartë të kampionatit në Maqedoninë e Veriut, që njihet si Prva Liga, apo Liga e Parë, titulli mund të quhet një formalitet për Shkupin. Kauza e skuadrës kryesuese u ndihmua në fundjavë edhe nga frenimi i ndjekëses më të afërt, Shkëndijës së Tetotës, që nuk shkoi dot më larg se një barazim pa gola të dielën në fushën e Bregalnica Shtipit.

Kjo bëri që skuadra tjetër shqiptare, kampione në fuqi, të zbresë në vendin e 3-të, me 53 pikë, teksa nga ky hap fals ka përfituar edhe Akademija Pandev, që me fitoren minimale të arritur të fushën e skuadrës tjetër shqiptare, Renovës, është ngjitur në vendin e dytë, me 55 pikë. Renova mbetet në vendin e 6-të të renditjes, me 38 pikë, dy më tepër sesa skuadra e 4-t shqiptare në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, Struga, që është mundur 0-2 të shtunën në fushën e Borecit.

Goli i Imerit në minutën e 65-të i ka mjaftuar Shkupit të marrë fitoren dhe 3 pikët të shtunën në fushën e Pelisterit dhe gjithçka i duhet tashmë skuadrës së drejtuar nga trajneri maqedonas, Goçe Sedllovski, për të siguruar titullin, është të fitojë të shtunën e 23 prillit në fushën e vet përballë Renovës, pavarsisht se çfarë bëjnë ndjekëset më të afërta.

Në fakt, Shkupi mund ta sigurojë titullin edhe me një barazim, nëse Akademija Pandev ndalet në barazim në fushën e vet përballë Bregalnica Shtipit, por edhe me një humbje, nëse edhe ndjekësja më e afërt e humbet ndeshjen e saj. Me pak fjalë, çështja e titullit duket një formalitet për Shkupin, që pritet të marrë kurorën nga Shkëndija e Tetovës.