RTSH Sport Live

Shoqata e Tiranës, Gjykata “njeh” Prodanin

  • 10/02/2022
  • |
  • Të tjera
Shoqata e Tiranës, Gjykata “njeh” Prodanin
Gjyqtari Arian Aliaj zhvlerëson zgjedhjet e datës 24 janar

Gjykata e Tiranës rrëzon Asamblenë Zgjedhore të Shoqatës Rajonale të Tiranës në 24 janar, duke dhënë një vendim që ndryshon tërësisht situatën në një moment delikat për FSHF-në. 20 ditë përpara Asamblesë Zgjedhore të 2 Marsit, gjykata jo vetëm që ka zhvlerësuar vendimet e marra në atë asamble por njeh Eduard Prodanin si kryetar të kësaj shoqate. Vendimi është marrë pas kallëzimit që bëri në prokurori kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në cilësinë e aksionerit të Klubit të Futbollit Tirana.

Ai paditi për shpërdorim të detyrës, falsifikim të dokumenteve dhe rrjetit kompjuterik, sekretarin e përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulkun dhe sekretarin e shoqatës së Tiranës ndërsa menjëherë pas mbledhjes së Asamblesë së Tiranës, ai bashkë me shoqatat që braktisën asamblenë e organizuar në ambjentet e FSHF-së, zgjodhën si kryetar të kësaj shoqate, Eduard Prodanin.

Në këtë mënyrë, vendimi i marrë nga gjykata e Tiranës mund të krijojë një efekt domino edhe në të paktën tre rajone të tjera pasi Gjirokastra, Shkodra dhe Durrësi janë gjithashtu zyrtarisht në prokurori pasi anëtarë të këtyre shoqatave kanë akuzuar për manipulim të zgjedhjeve drejtuesit rajonalë dhe FSHF-në.