RTSH Sport Live

Shorti i Ligës Unike zyrtarizohet të dielën

  • 16/10/2021
  • |
  • Basketboll
Shorti i Ligës Unike zyrtarizohet të dielën
Gati kampionati Shqipëri – Kosovë në lojën e koshit si për meshkuj, ashtu dhe për femra

Liga Unike Shqipëri – Kosovë në basketboll tashmë është gati për sezonin e saj të ri 2021-2022, që pritet të nisë në fundjavën e ardhshme. Nëse për meshkuj është edicioni i dytë, teksa të parin e ka fituar Golden Eagle Ylli, për femra do të jetë i pari. Dhe e diela, që në fakt përkon me përfundimin e Superkupës Mbarëkombëtare në basketboll për meshkuj, do të shënojë dhe hedhjen e shortit, që do të zhvillohet në ora 11:00 dhe do të jetë i transmetueshëm në rrjetet sociale të Ligës Unike, Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës.

 Për meshkuj do të jenë tetë ekipe. Kështu nga Shqipëria do të marrin pjesë Teuta, Vllaznia, Tirana Neptun dhe Kamza Basket, kurse nga Kosova, Golden Eagle Ylli, Rahoveci, Prizreni 16 dhe Peja.  Do të zhvillohen gjithsej 14 ndeshje (vajtje-ardhje), që do të thotë dy faza, dhe më pas skuadrat më të mira do të garojnë për titullin kampion nëpërmjet fazës Play-off.

Ndërkohë te femrat do të marrin pjesë 6 skuadra. Penza, Prishtina dhe Bashkimi nga Kosova dhe Partizani, Tirana dhe Flamurtari nga Shqipëria. Do të zhvillohen dhjetë xhiro (vajtje-ardhje), pra dy faza, dhe më pas do të zhvillohet faza Play-off. Për femra Superkupa Mbarëkombëtare u fitua nga Penza, kurse për meshkuj mbetet gjithçka për t’u përcaktuar në përfundim të finales në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër.