RTSH Sport Live

Shpërbëhet Vllaznia, jep dorëheqjen Alban Xhaferri

  • 10/01/2022
  • |
  • Basketboll
Shpërbëhet Vllaznia, jep dorëheqjen Alban Xhaferri
Zyrtarisht jep dorëheqjen donator Alban Xhaferi, kuqeblutë ende pa skuadër

Shpërbëhet Vllaznia në basketboll për meshkuj. Zyrtarisht, donatori i kësaj skuadre, që e ka mbajtur më shumë se sa dy vjet, Alban Xhaferi është larguar nga ekipi, ndërsa tanimë do të jetë i përqendruar tek futbolli. E ky largim i tij, teksa kishte ditë që pëshpëritej në ambientet sportdashëse të Shkodrës, ka sjellë kaos total tek skuadra. Në fakt, largimi i trajnerit Nikola Milatoviç, kjo për mungesë të rezultateve jo vetëm në kampionat, por dhe në Ligën Unike, solli përkohësisht trajner Ervin Bërdicën.

 Por në fundin e dhjetorit është larguar dhe ai e pas tij dhe thuajse të gjithë lojtarët. Kjo që nga amerikanët e deri tek lojtarët vendës. Pallati i Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër është që nga fundi i dhjetorit i boshatisur, sepse ekipi i meshkujve nuk ekziston më. Në fakt bëhet një situatë tragjike për koshin kuqeblu, teksa në prag është Liga Unike, atje ku Vllaznia do të jetë në fundjavë në transfertën e Suharekës ndaj Golden Eagle Yllit.

Burime nga Federata Shqiptare e Basketbollit bëjnë të ditur se do të ketë sanksione për klubin nëse skuadra nuk vazhdon pjesën e dytë të sezonit. Pra të mbyllë Kupën e Shqipërisë dhe Kampionatin. Dhe tanimë të gjithë janë në kërkim të një donatori, që të paktën të garantojë vazhdimësinë e Vllaznisë në gjysmën e dytë të sezonit.

Por deri atëherë duket se duhet pritur shumë, ndërsa për momentin basketbolli i djemve kuqeblu është në kuotën zero...