RTSH Sport Live

Shpërthen interesi për shahun pas filmit në Netflix

  • 23/11/2020
  • |
  • Të tjera
Shpërthen interesi për shahun pas filmit në Netflix
Roli i Elizabeth Harmon në “The Queen's Gambit” është shumë inspirues për miliona fëmijë në Botë

Shahu ka parë një interes të jashtëzakonshëm kohët e fundit. Një sport që dukej se po luhej nga një përqindje e ulët e njerëzve nëpër Botë, kohët e fundit ka patur një rritje interesi veçanërisht pas serialit të famshëm të “Netflix”, 'The Queen's Gambit' (Hapja e Mbretëreshës). Historia fantastike e një vajze jetime e cila është gjeni në shah po kthehet në inspirim botëror për prindërit që shohin këtë serial dhe më pas duan tja përcjellin fëmijëve të tyre. Veçanërisht janë gratë frymëzuar nga personazhi i Elizabeth Harmon që po shtyjnë fëmijët drejt atij që cilësohet si sporti i mendjes. Vetë Federata Botërore e Shahut pret një shpërthim të interesit duke parë kërkesat e fundit për programe online, për lojra të ndryshme, për literaturë shahu etj. David Llada, shefi i marketingut të Federatës Botërore të shahut pranon se vetëm muajin e parë të shfaqes së filmit, ka patur aq kërkesa nga femrat për këtë sport sa nuk ka patur në 5 vitet e fundit. “Kjo është e mahnitshme,”- pranon Llada. “Kemi kaq shumë kërkesa nga shumë njerëz dhe jo vetëm nga një shtet, por nga e gjithë Bota. Mund të ketë ndikuar edhe mbyllja në shtëpi për shkak të pandemisë, por shifrat janë mbresëlënëse”,- thotë zyrtari I Federatës Botërore të Shahut. Një lajm i mirë është edhe numri i femrave që po kërkojnë të përfshihen në këtë sport. Deri tani, sipas David Llada janë vetëm 16% e femrave që janë të regjistruara si lojtare të këtij sporti, por pritet që ky numër të shtohet shumë duke parë interesin e ditëve të fundit. Sipas FBSH, pas një program për shahun në shkolla parashikohej një shifër prej 30 milion fëmijësh që do angazhoheshin me këtë sport vitin e fundit, por pas këtij seriali televiziv, shifra pritet të jetë 50 milion.