RTSH Sport Live

Shpëtim Duro, trajneri i ri i Strugës

  • 28/02/2023
  • |
  • Maqedonia e Veriut
Shpëtim Duro, trajneri i ri i Strugës
63-vjeçari pohon për RTSH Sport arritjen e marrëveshjes, të mërkurën zyrtarizimi

Shpëtim Duro do të rikthehet në stolin e një skuadre, por tashmë në një tjetër kampionat, atë të Maqedonisë së Veriut, por këtë herë si trajner i Strugës. Ish-trajneri i Shkëndijës së Tetovës ka konfirmuar për RTSH Sport arritjen e marrëveshjes me skuadrën shqiptare, që kryeson kampionatin maqedonas. “Po, është tashmë thuajse e kryer dhe të mërkurën do të udhëtoj për në Maqedoninë e Veriut për të nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen, - ka thënë 63-vjeçari në një bisedë të shkurtër telefonike, duke shprehur edhe besimin e tij tek grupi aktual i lojtarëve. “Po shumicën e tyre unë i njoh, sepse i kam patur në skuadra të ndryshme gjatë këtyre viteve, - ka vijuar më tej Duro. - Skuadra është në vend të parë, por ka nevojë për një rinisje për t’u kthyer tek fitoret dhe jam optimist për pjesën e mbetur të sezonit, edhe pse kemi një sfidë të vështirë prej Shkëndijës dhe Shkupit.”

Struga e nisi mjaft mirë sezonin duke patur një ecuri mbresëlënëse në fazën e parë. Por në javët e fundit skuadra ka pësuar rënie të lirë, duke barazuar në tri ndeshje radhazi. Fitorja e parë për vitin 2023 nuk ka ardhur ende dhe klubi lajmëroi në mbrëmjen e së hënës largimin e trajnerit Srgjan Zaharieski. Drejtuesit kanë besim se Duro ka aftësinë e duhur të rikthejë skuadrën në rrugën e duhur drejt objektivit titull falë përvojës së madhe. 63-vjeçari është shpallur një herë kampion i Shqipërisë, në sezonin 2010-2011 me ekipin e Skënderbeut, ndërsa ka fituar një herë dhe Kupën e Shqipërisë, po me ekipin korçar.

Në karrierën e tij, krahas Skënderbeut Duro ka drejtuar Besën e Kavajës, Vllazninë, Partizanin, Flamurtarin, Kukësin, Laçin dhe Egnatian në Superiore, por edhe Dritën në Kosovë. Pas Shkëndijës, ai pritet që të ketë aventurën e dytë në Maqedoninë e Veriut. Këtë herë me ekipin e Strugës, që pas 29 javësh ndodhet në vendin e parë me 39 pikë, dy më tepër se Shkupi që ka luajtur një ndeshje më pak.