RTSH Sport Live

Shqipëria dështon sërish përballë Izraelit

  • 24/09/2022
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria dështon sërish përballë Izraelit
Mundet 1-2 edhe në Tel Aviv, tanimë me Islandën për vendin e dytë

Shqipëria është ndeshur të shtunën me Izraelin në Stadiumin “Blumfilld” të Tel Avivit, në takimin e fundit të përfaqësueses vendase në kuadër të grupit të dytë të Ligës B të Ligës së Kombeve të Evropës. Pjesa e parë e kësaj sfide ka parë përfaqësuesen vendase të bëjë një vëllim më të madh loje dhe të ndërtojë raste më të shumta, por është Kombëtarja kuqezi që është më e rrezikshme dhe janë dy raste në të dy skajet e 45 minutave, që kanë si protagonist të njëjtin futbollist, Armando Broja.

Pas vetëm 6 minutash lojë, sulmuesi i ri i vjedh topin mbrojtësve dhe del i vetëm para portierit vendas, Glejzër, por çon topin në duart e këtij të fundit. Pjesa e parë në vijim do të shohë përfaqësuesen bardhekaltër të ngulmojë më tepër, duke e rrezikuar më tepër portën e Strakoshës dhe vetëm mungesa e saktësisë në finalizim i ka mohuar golin Izraelit. Në krahun tjetër, është sërish Broja, në minutën e fundit të kohës së rregullt të pjesës së parë, që bën gjithçka mirë brenda zonës, por godet keq dhe drejt e në duart e portierit vendas.

Me rrjeta të paprekura do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta nis praktikisht me gol, sepse Shon Vajsman ka përfituar nga një gabim i Hysajt dhe ka gjetur rrugën e rrjetës pas një pasimi nga e djathta e sulmit. Pjesa e dytë në vijim do të shohë Shqipërinë të ngulmojë në kërkim të golit të barazimit dhe rastet nuk kanë munguar, por goli nuk ka ardhur deri në minutën e 87-të.

Atëherë kur do të duhet i sapofuturi në lojë, Myrto Uzuni, i cili, përtej formës jo të plotë fizike për shkak të dëmtimit, ka nevojë për më pak se 10 minuta lojë për t’u treguar shokëve sesi shënohet, duke përshëndetur rrjetën me një goditje të shkëlqyer fluturimthi brenda zonës.

Kombëtarja kuqezi beson dhe përpiqet por ndëshkohet sërish nga gabimet në minutën e dytë shtesë, kur Veseli praktikisht i dhuron golin e dytë Izraelit, që fiton kështu me shifrat 2-1 dhe konfirmohet në krye të renditjes së grupit, duke siguruar mundësinë për të marrë pjesë në fazën e “play-off”-eve për një vend në Evropianin e vitit 2024, por edhe vendin në Ligën A në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Ndërsa Shqipëria do të kërkojë ngushëllim të martën ndaj Islandës në ndeshjen që tashmë vlen vetëm vendin e dytë.