RTSH Sport Live

Shqipëria dorëzohet pa kushte

  • 26/11/2021
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria dorëzohet pa kushte
Norvegjia fiton me goleadë në Arenën Kombëtare, kurse tonat pësojnë disfatën më të thellë

Shqipëria në futboll për femra jo vetëm që ka pësuar humbjen e pestë në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi&Zelandë e Re 2023”, por ka marrë disfatën më e thellë në këto ndeshje. Pikërisht Norvegjia, e cila edhe më 2013-ën ka mundur kombëtaren tonë 11-0 dhe 7-0, përsëri del triumfatore, ndërsa në Arenën Kombëtare, në ndeshjen e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ka fituar me goleadë.

Plot shtatë gola në portën tonë, ndërsa kombëtarja e drejtuar nga Armir Grima është dorëzuar pa kushte. Në pjesën e parë, tonat janë mundur të bëjnë rezistencë, por Norvegjia ka kaluar në avantazh falë eksperiencës, ndërsa në të 23’ ka shënuar Manum. Pjesa e dytë ka qenë një tmerr më vete për vajzat tona. Për 24 minuta pësohen gjashtë gola me një mesatare një gol në çdo katër minuta.

Reiten dyfishon në të 60’. Pas dy minutash thellon Thorisdotir. Norvegjia nuk e ul ritmin dhe Saevik në të 72’ realizon golin e katërt. Manum firmos dygolëshin e saj në të 77’. Për ta mbyllur serinë e golave të nordikeve janë Hasund në të 81’ dhe Terland në të 84’. E përfundimisht 7-0 për Norvegjinë.

Në të njëjtin grup Belgjika ka mundur Armeninë, 19-0, kurse Polonia ka fituar me Kosovën 2-1. Shqipëria rikthehet në fushën e lojës më 30 nëntor, ndërsa ora 16:00 në “Fadil Vokrri” të Prishtinës do të jetë përballë Kosovës me shpresën për të bërë kthesë në rezultat.