RTSH Sport Live

Shqipëria, dy miqësore në prill

  • 30/03/2023
  • |
  • Kombëtarja
Shqipëria, dy miqësore në prill
Maqedonia e Veriut dhe Kenia kundërshtaret e vajzave kuqezi në “Elbasan Arena”

Maqedonia e Veriut dhe Kenia do të jenë kundërshtarët e miqësoreve të prillit për Shqipërinë e futbollit të femrave. Rikthehet në fushën e lojës kombëtarja e të rriturave, me trajner Armir Grima, kjo pas gjashtë muajsh mungesë, ndërsa për herë të fundit luajti më 1 shtator në “Elbasan Arena” ndaj Polonisë, kur u mund 1-2, si dhe më 6 shtator në transfertën norvegjeze 0-5. Ndeshje këto të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi&Zelandë e Re 2023”. Me Maqedoninë e Veriut do të luhet më 7 prill në ora 16:00 në “Elbasan Arena”. Kurse më 11 prill, në të njëjtin stadium dhe në të njëjtin orar, Shqipëria do të ketë përballë Kenian.

Vajzat kuqezi do të nisin grumbullimin nën drejtimin e trajnerit Armir Grima më 5 prill në Tiranë, ndërsa tekniku shqiptar do të shpallë listën me futbollistet e grumbulluara pas pak ditësh. Ndërkohë në Durrës do të qëndrojë edhe përfaqësuesja keniane, që ka parashikuar të grumbullohet në Shqipëri më 8 prill dhe të gjitha shpenzimet e ekipit mik nga Kenia do të mbulohen nga Federata Shqiptare e Futbollit. Këto dy miqësore kundër Maqedonisë së Veriut dhe Kenias janë një mundësi shumë e mirë për trajnerin Grima dhe stafin e Kombëtares A për të vëzhguar e testuar vajzat kuqezi duke qenë se për momentin nuk janë të angazhuara në impenjime zyrtare me ndeshje të nivelit UEFA-s apo FIFA-s. Gjatë muajit prill, Shqipëria do të njohë edhe kundërshtaret e kualifikueseve të Ligës së Kombeve, që zhvillohet për herë të parë si kompeticion për vajza.

Si Maqedonia e Veriut, ashtu dhe Kenia mbartin edhe një specifikë shumë të veçantë për Shqipërinë e vajzave. Kjo pasi Maqedonia e Veriut është edhe ekipi i parë me të cilën është përballur Shqipëria më 5 maj 2011, ndërsa me Kenian luan për herë të parë në historinë e saj. Dy miqësore që për Grimën vlejnë, ndërsa më 23-26 shkurt u zhvillua dhe një zbor stërvitor në Malin e Zi.